Premier League angleze e futbollit është në javën e 24-t. Këtë të shtunë do zhvillohen tetë përballje, teksa gjithçka ka nisur me fitoren 2-4 të Arsenalit kundër Aston Villës. Në Birmingham djemtë e Artetës kanë përmbysur gjithçka në 90 minuta të çmendura. Sot në program janë edhe shtatë duele të tjera, me futbollin që do jetë kryefjala në ishull.
Në “Villa Park” në Birmingham, Aston Villa vendase humbi 2-4 me Arsenalin. “Topçinjtë” morën tri pikë pas tre ndeshjeve pa fitore, teksa përmbysën Villan në transfertë në një ndeshje me gjashtë gola. Gjithçka nisi në minutën e pestë me golin e Watkins, për avantazhin e vendasve. Saka në të 16 minutë barazoi gjithçka, teksa Coutinho në minutën e 31 riktheu Aston Villan në avantazh. Zinchenko në minutën e 61 shënoi për rezultatin 2-2, teksa fundi i ndeshjes ishte emocionues. Jorginho në minutën e 90+3 detyroi Martinezin të shënonte autogol pas një goditje të kalibruar. Në minutën e tetë shtesë, Martinelli dërgoi shifrat në 2-4. Arsenal me 54 pikë merr vendin e parë. Aston Villa me 28 pikë mbetet në kuotën e 28 pikëve në vendin e 11-të.