Këtë të enjte Sali Berisha doli sërish në protestë para Kuvendit. Si vijim i revolucionit, kryedemokrati i thirri sërish mbështetësit në një tubim për të kërkuar hetimin e çështjes McGonigal.
Por kjo protestë e tretë para kuvendit dhe 1 javë para tubimit të madh në 3 mars, pa një numër më të vogël opozitarësh në shesh.
Përveç deputetëve demokrat që nuk i ka të gjithë mbështetës të thirrjeve të tij për protestë, Berisha shikon që t’i pakësohen edhe krerët e partive aleate.
Vetëm Ilir Meta vijon t’i qëndrojë pranë Berishës në çdo aksion opozitar, si në protesta, por edhe në Parlament.
Koalicioni me PBDNJ që u shpall disa javë më parë, duket se është vetëm për zgjedhjet lokale, pasi në asnjë prej protestave të fundit të organizuara nga PD e Berishës, Dule apo funksionarë të tjerë të kësaj partie nuk janë parë në terren.
Po ashtu edhe një aleat i vjetër i PD, PDIU po fillon të afrohet me maxhorancën socialiste. Partia e Idrizit pasi zyrtarizoi hyrjen vetëm në zgjedhjet lokale të 14 majit, në dy seancat e fundit në disa raste i ka bashkuar votat me Partinë Socialiste për disa ligje që janë miratuar.
Listës së aleatëve që nuk e kanë ndjekur Berishën në protestat e fundit i shtohen edhe Partia Republikane, Partia Agrare, apo edhe LZHK e Dash Shehit i cili pak ditë më parë zyrtarizoi edhe koalicionin me Bindjen Demokratike të Patozit për zgjedhjet lokale të 14 majit.