Guy Lawson gazetari investigativ amerikan në një intervistë ekskluzive për emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, thotë se Gërdeci, ka qenë një pikë kyçe për shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha. Po ai shton se ndalimi i hyrjes së familjes Berisha në SHBA, nuk mjafton.
Guy Lawson: E vërteta është se qeveria amerikane ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të ish-kryeministrit Berisha dhe familjes së tij të afërt, ku bën pjesë edhe djali i tij, sepse ata janë cilësuar nga Sekretari i Shtetit si persona të korruptuar. Kjo është një akuzë shumë serioze dhe ne vetëm mund të nënkuptojmë se çfarë do të thotë kjo, pasi ata kurrë nuk na kanë thënë pse vërtet. Por nuk duhet të jesh matematikan apo gjeni për të menduar se kjo lidhet me atë çfarë ndodhi në Gërdec. Unë e di, nga takimet me zyrtarë të ndryshëm shumë të lartë të Ambasadës Amerikane në Shqipëri në atë kohë, se ata ishin në dijeni të asaj që po ndodhte me demontimin e municioneve, po ashtu njerëzit e Kombeve të Bashkuara ishin në dijeni të asaj çfarë po ndodhte. Pra, nuk ishte sekret. Fakti që u ndrydh për kaq gjatë është vërtet një tragjedi për familjet që kanë vuajtur. Jam i lumtur të shoh që familja e një prej viktimave ka qenë shkaku i këtij hetimi nga SPAK-u.
Rudina Xhunga: Ju mendoni që ka lidhje shpallja e Berishës non-grata me Gërdecin?
Guy Lawson: Po. Unë mendoj se njerëzit në Ambasadë kishin dijeni se po ndodhte një korrupsion grotesk me municionet, jo vetëm me AEY, por në përgjithësi. Nuk mund të them për kalkulimet politike për të mos i dhënë popullit shqiptar drejtësinë e zbulimit se çfarë ndodhi vërtetë dhe në vend të kësaj duke zgjedhur idenë e interesit amerikan që la vdekjen e atij djali 7-vjeçar në prapaskenë. Nuk e kuptoj dhe nuk pretendoj të mendoj se është e moralshme apo e detyruar. Mendimi im është që Shqipëria, si një vend i ri, po zhvillon realisht sistemet e saj politike, shtypin e të tjera institucione në dy dekadat e fundit dhe përpjekjet e reja duhen ushqyer e kujdesur dhe nuk duhen trajtuar si një tjetër gur shahu në tavolinën e lojës. Më duket sikur popullit shqiptar nuk i është bërë shërbimi siç duhet vetëm duke e ndaluar Berishën të shkojë në SHBA, por nga ana tjetër duke mos e përballur realisht me problemin. Dua të theksoj se ky është opinioni im.
Rudina Xhunga: Por është opinioni i një njeriu që ka shumë njohuri për faktet dhe kjo është e rëndësishme.
Guy Lawson: Kam 10 vjet që investigoj për këtë ngjarje dhe kam një jetë të tërë si gazetar dhe si avokat. Nuk mbaj mëri, nuk jam kundër asnjë force politike në Shqipëri dhe nuk kam asgjë tjetër përveç shqetësimit për shoqërinë civile shqiptare, shqetësim për ato familje të përfshira dhe më pas shqetësim që sistemi gjyqësor të bëhet i qëndrueshëm dhe të ketë integritet real.
Rudina Xhunga: Sepse kjo është një çështje e cila u gjykua në Amerikë. Keq apo mirë, ata njerëz që u përfshinë, morën gjykimin. Në Shqipëri nuk ndodhi asgjë.
Guy Lawson: Po, jam dakord me ty. Madje edhe njerëzit që u dënuan në Shqipëri, u dënuan për gjëra qesharake. Nuk u dënuan për thelbin e vërtetë të asaj që po ndodhte. Nuk ka një gjë të tillë si sistemi i përsosur i drejtësisë me aq sa di unë gjatë jetës sime duke punuar për histori të ndryshme, por në këtë rast ajo që ndodhi ishte se të gjithë këta të ashtuquajtur “të mëdhenj”, politikanët, zyrtarët, ushtria, Pentagoni, departamenti i drejtësisë, Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara dhe duke përfshirë edhe strukturat politike shqiptare; të gjithë dolën paq me pothuajse asgjë, asnjë akuzë. E dini, kur dritat u ndezën dhe të gjithë minjtë u larguan, aty qëndruan tre fëmijë dhe kështu ata u ndëshkuan. Di me siguri që libri im dhe historia rreth kësaj çështjeje ndryshoi mënyrën se si Pentagoni nisi të operojë për sa i përket blerjes së armëve dhe pasjen e sistemeve më të mira. Por nuk jam i sigurt që Shqipëria ka nxjerrë vërtet mësimet e duhura nga kjo, nuk jam i sigurt te sistemi ligjor. Prandaj kam shumë shpresë që SPAK-u dhe kjo nënë e mrekullueshme mund të hedhin dritë. Unë do të vazhdoj të kem interes për këtë çështje dhe me të vërtetë do të doja të shkruaja për të, nëse gjen zgjidhje.
Rudina Xhunga: A nuk është paradoksale që njeriu që kërkon të rrëzojë Ramën për korrupsion, është njeriu që ishte kryeministër kur në këtë vend u vranë 26 persona në një mënyrë ende të pasqaruar?
Guy Lawson: Ajo që është e habitshme për mua sa i takon Gërdecit është se politikanët me një reputacion politik të njollosur pas kësaj tragjedie, u sollën sikur ishin ata viktimat dhe jo fëmijët, jo familjet, jo vendi. Kjo për mua është me të vërtetë e tmerrshme, sepse ata nuk ishin viktimat, por djali 7-vjeçar dhe e ëma ishin viktimat e asaj tragjedie. Sistemi i drejtësisë ishte viktima e kësaj. Populli shqiptar, që nuk ka zyrtarë të cilët vendosin interesin e popullit në vend të parë, ata janë viktimat e vërteta të kësaj. Jo dikush që pretendon se reputacioni i tij është njollosur në mënyrë të padrejtë. Unë shpresoj që Shqipëria të ketë mundësi të nxjerrë në dritë gjithçka që ndodhi atje. Unë e di është mundësia për të bërë diçka të mirë për atë shoqëri nëse kjo ndodh. Prandaj, kjo është shpresa ime më e madhe.