Nga Jakin Marena

Tashmë është bërë një ritual i përjavshëm protesta e “Rithemelimit” bashkë me atë të Partisë së Lirisë, përballë selisë së Parlamentit të Shqipërisë. Sa herë që ka seancë parlamentare, Berisha e pas tij Meta, nisin ‘skalionin’ e parë të protestuesve me mandat deputeti, ata që kanë mbetur ende pa u përjashtuar nga punimet e Kuvendit për shkak të sherreve banale që bëjnë në sallë, pasi hyjnë me një qëllim të vetëm në sallën e legjislativit, atë të tentativës për bllokim të seancës.

Dhe kjo fazë e parë e protestës çdo ditë që ka punime Kuvendi i ka të gjithë elementët brenda, që nga zaptimi i podimit dhe zhurmimi i seancës parlamentare në tentativë për të bllokuar punën e mazhorancës, e deri tek sharjet, fyerjet dhe mbi të gjitha bilbilat e famshëm të cilëve kanë nisur t’i bien dhe deputetë që e kanë kapërcyer moshën e pensionit.

“Skalioni’ i dytë që mbërrin para parlamentit, janë ata që kanë ardhur nga rrethet e largëta, i kanë të gjitha të paguara brenda, që nga karburanti, sufllaqet e deri tek ndonjë pije për nxitur ecjen para pa u menduar, mundësisht të jetë birrë me gradacion të lartë alkoli. Me markë shqiptare kuptohet, kushton më lirë dhe përfshin ndonjë ‘qokë’ brenda.

Fundja nuk harxhojnë shumë sepse protesta më e madhe që mund të dalë nga një organizim i tillë nuk i kalon të 200 vetët. Duke e mbajtur opozitën me hatër në këtë përllogaritje pjesëmarrjeje.

Pastaj ‘finalja’ e protestës nis atëherë kur lideri i “Rithemelimit” Sali Berisha del nga selia e PD buzë Lanës dhe i shoqëruar nga badigardë të shumtë, nga frika se mos i përsëritet ngjarja e aspak e këndshme e 6 dhjetorit të vitit të kaluar, kur një i sëmurë mendor e goditi me një grush të thatë në fytyrë, duke e përplasur në asfalt, dhe merr drejtimin para parlamentit, diku afër mesditës, duke mbajtur dhe fjalimin e radhës para turmës së pakët të njerëzve aty.

Berisha mban të njejtin fjalim, përdor të njejtin fjalor, rrotullohet kryesisht rreth 17-18 fjalëve kyçe, të cilat përmendin Ramën, revolucionin për rrëzimin e tij, akuzat për vjedhje votash dhe pamundësi fitoreje për opozitën në garën elektorale, ish zyrtarin e lartë të FBI McGonigal, akuzat ndaj ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim. Dhe në fund të herës bën sikur po lodhet shumë duke mbrojtur në këtë mënyrë ‘nderin’ e SHBA të ‘nëpërkëmbur’ nga ‘armiqtë’ Rama, Yuri Kim, Neza dhe McGonigal.

Por nga ana tjetër, nuk mungon të rilidhë sërish këtë çështje me shpalljen e tij ‘non grata’ nga SHBA familjarisht dhe involvimin në “betejën’ për vulën dhe logon e PD që ka me Alibeajn në Gjykatën e Apelit më 3 mars të këtij viti. Dhe Berisha akuzon SHBA-të dhe Ramën se “duan t’i marrin vulën e PD, duan të zgjedhin kryetarin e PD”. Çfarë të thotë tjetër ai, ky është justifikimi para atyre protestuesve të paktë që kanë ardhur në Tiranë “për të rrëzuar Fatos Nanon”.

Nëse nuk sëmurët si gjithnjë ndonjëri nga gjyqtarët, apo nëse nuk rikthehet sërish në shkallën e parë për gjykim kjo çështje, gjithçka merr fund më 3 mars, dhe Berisha ka shumë gjasa që të dalë ‘rruar e qethur’ në këtë përballje me kundërshtarët brenda partisë së tij, të dalë parti pa vulë dhe logo dhe të mbetet nën humorin e zi të kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta, për të regjistruar kandidatët për kryetarë bashkie që do të garojnë në zgjedhjet e 14 majit për pushtetin vendor.

Mund të ndodhë që të mbetet dhe tërësisht jashtë nëse Meta nuk merr përsipër të marrë në kurriz Berishën dhe tërë mbështetësit e tij ‘non grata’ në SHBA e Britani, të izoluar nga të gjitha vendet anëtare të BE dhe të rajonit. Një kosto për partinë e Ilir Metës kjo, por që ende Meta po kalkulon politikisht sa përfiton dhe sa humb pas 3 marsit, me Berishën ‘paketë’ në të ‘zezë’ në zgjedhje.

Por ajo që na bën shumë përshtypje është rutina e krijuar në këto protestat e Berishës dhe Metës, të cilat për hir të së vërtetës nuk kanë asnjë kauzë që mund të thithë më shumë pjesëmarrje, themi përtej 200 vetave që mblidhen apo nuk mblidhen para Parlamentit.

Eshtë e njëjta skemë, është i njejti fjalor, madje janë dhe të njejtët njerëz, me të cilët ka ‘lidhur kontratë’ për t’i pasur çdo ditë seance parlamentare para Kuvendit të Shqipërisë. Dhe normal që nuk do ketë ndryshime, pasi protestohet për të njejtin hall. Dhe është hall koke, që nga përballja me izolimin total që partnerët tanë ndërkombëtarë i kanë bërë Berishës dhe mbështetësve të tij, e deri te përballja me drejtësinë, më saktë me SPAK, për zullumet e shumta për të cilat akuzohen.

Meta shkoi në SPAK për aferën CEZ-DIA, ku me gjithë hallet që ka me këtë dosje për pjesën e DIA-s, tha dhe një të vërtetë. E tha si rastësisht, se ai nuk kishte firmosur në asnjë vend për privatizimin e OSSH në favor të CEZ. Dhe këtu ka të drejtë, në këtë aferë fund e krye është i zhytur Berisha dhe familja e tij. Bashkë me sekserin Nuel Kalaj. Për të cilët SPAK ende s’po gjen guximin që t’i thërrasë familjarisht Berishët bashkë me ata që tërhoqën në bankat e nivelit të dytë ‘bonusin’ e këtij privatizimi prej gati 7 milionë eurosh. Ka shumë komunikime për këtë, SPAK mjafton që t’i zbardhë. Por për këtë duhet të thërrasë Berishën për të dëshmuar, ta thyejnë këtë “tabu’ sëpaku, të vrasin frikën dhe të guxojnë.

Gjithsesi protestat e përjavshme të të njejtin format në kauzë, pjesëmarrje dhe skenar, na kujtojnë atë vitin jo fort të largët, atë 2017, më saktë shkurtin e atij viti, kur në bulevardin përballë kryeministrisë Lulzim Basha, kreu i atëhershëm i PD ngriti “çadrën” e famshme, përmes të cilës mendonte të niste komunikimin e opozitës me qytetarët, direkt nga rruga.

E njëjta skemë, të njejtët skenaristë, pavarësisht nëse ishin atëherë në prapaskenë apo në skenë. Meta ishte atëherë mbështetës jo publik, por që e ‘furnizonte’ këtë mënyrë proteste me njerëz nga LSI, madje dhe me gajret duke thënë se “Rama nuk mban goditje, jepini se dorëzohet”.

Berisha ishte në prapaskenë dhe nxiste Bashën që të vijonte ta mbante të ngritur këtë “çadër” proteste në bulevard. Kishte hall dhe ai, kishte marrë në emër të PD gjysmë milioni euro nga Rusia për të destabilizuar qeverisjen, rrëzuar atë dhe destabilizuar vendin e rajonin. Punë lekësh me një fjalë, dhe po bënte një punë dhe Berisha, ndonëse me duart e të tjerëve. Siç drejtonte dhe PD-në, me duart e ‘birit’ politik Lulzim Basha.

Ndërsa “çadra” e ngritur tani para parlamentit njëherë në javë, ngjan si dy pika uji me atë të Bulevardit të ngritur nga Basha më 2017, ish kreu i PD është shpallur armik, bashkëpunëtor i Ramës, “besëprerë” se e përjashtoi Berishën nga grupi dhe PD pas shpalljes ‘non grata’ prej SHBA, vetë Berisha është ‘violinë e parë’ e protestës, bashkë dhe me Metën. Por me sa duket kanë të njejtën skemë, presionin ndaj Edi Ramës për t’u larguar nga qeverisje.

Fatin e “çadrës” së Bashës të gjithë e dinë: Në fund të herës, u mbyll me Ramën në selinë e kryesisë së Parlamentit, arriti një marrëveshje me të më 17 maj 2017, mori mbi gjysmën e posteve ministrore, postët më të rëndësishme dhe që kishin lekë, mori drejtimin e të gjithë institucioneve që kishin lekë, nga KESH e deri tek Hipoteka përmes përfaqësuesve teknikë dhe hyri në zgjedhje me këto ‘asete’ në dorë.

Berisha atëherë e quajti fitore, Rama nuk u mor fare me qeverisjen as me zgjedhjet, ishte ministër i Brendshëm njeriu i Bashës dhe Berishës. Rama vetëm bëri fushatë e fitoi mbi 50% të vendeve në parlament duke qeverisur i vetëm në mandatin e dytë. Fitoi dhe të tretin. Po me 74 mandate deputeti, nga 140 vende që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Me sa duket Berisha kërkon sërish që përmes ‘çadrës’ njëherë në javë të instaluar para parlamentit, të bëjë presion ndaj Ramës për të arritur një kompromis si ai i 17 majit 2017, për të marrë gjysmën e qeverisë përmes bashkëqeverisjes teknike dhe për të hyrë në zgjedhje me këtë bashkëqeverisje.

Berisha dhe Meta po shpresojnë ta shfrytëzojnë më mirë se Basha këtë pakt që mendojnë të arrijnë përmes presionit ndaj Ramës me të gjitha mënyrat për të bërë ‘pazar’. Pasi e dinë se e kanë të pamundur të fitojnë në përballje elektorale kështu të shkatërruar siç janë. Pra janë të bindur se e bëjnë më mirë se Basha, ndaj këmbëngulin në të pamundurën. Pavarësisht se lumi asnjëherë kur fryhet nuk kalon në të njejta brigje. Për më tepër që aktualisht ‘lumi’ opozitar është katandisur në një ‘rrëke’ që as në fund të destinacionit nuk arrin dot duke rrjedhur.

Me sa duket këtë radhë nuk do japë asgjë Rama siç bëri me Bashën më 2017. E ka thënë se me lëshimin ndaj Bashës, e kishte mbyllur me ‘dhuratat’ qyl për opozitën. E para se e ndjen veten shumë të fortë, të gjitha sondazhet i japin më shumë mbështetje se në zgjedhjet paraardhëse PS-së dhe kandidatëve të saj. E dyta, nuk mund t’i japë ‘Pazar’ një politikani si Berisha i cili s’ka as vulë as logo partie e mbi të gjitha është ‘non grata’ në SHBA, Britani dhe trajtohet si i tillë nga të gjitha vendet e BE dhe ato demokratike.

Ndaj acarohet Berisha, sepse nuk e llogarit askush as për të bërë një ‘Pazar’ të rëndomtë politik, jo më për fitore për për t’i siguruar mbijetesën politike, e për pasojë dhe garantuar mbrojtjen përballë drejtësisë. Berisha po tregon se me kauzat e tij, nuk mund të kapërcejë as Lulzim Bashën e vitit 2017, që ngriti “çadrën’ në bulevard dhe që arriti të ‘shkëpusë’ një marrëveshje me Ramën për drejtimin e gjysmës së qeverisë, por dhe humbjen në zgjedhje, kuptohet.

Berisha thjeshtë po ‘imiton’ Bashën duke e ‘lëvizur’ nga bulevardi ‘çadrën’ dhe duke e instaluar përballë Parlamentit, por pa arritur dot as në nivelin e tij. Të presim se si do të përfundojë realisht kjo skemë, sidomos pasi të vendoset më 3 mars se kush do ta marrë vulën e PD. Deri atëherë, ta gëzojmë “çadrën” e re të Berishës para Parlamentit.