Media e njohur gjermane ‘Bild’ ia ka lënë ‘ngrehur’ euforinë opozitës pasi e ka fshirë shkrimin e ditës së sotme kushtuar ish-zyrtarit rë FBI-së, Charles McGonigal.
Nëse kërkohet lajmi i publikuar më herët prej saj, ai del i hequr nga faqja.

Pas publikimit të shkrimit, opozita e ‘përdori’ si armë shtesë për çështjen në fjalë, pas disa shkrimeve në mediat amerikane ditët e fundit. Sipas tyre, BILD ka botuar një “bombë” kundër Ramës. Vetëm se kjo “bombë” nuk ekziston, pasi shkrimi është fshirë direkt pas publikimit.

Arsyeja mendohet se është fakti që shumica e shkrimit bazohej mbi aludime dhe trillime të paqena. Opozita e akuzon kryeministrin Rama se ka korruptuar ish-zyrtarin e lartë të FBI-së McGonigal për të asgjësuar opozitën shqiptare. Në deklaratat e përditshme të krerëve të saj, është theksuar se McGonigal është paguar nga Rama ‘si vrasës me pagesë’ për të goditur opozitën, demokracinë e pluralizmin në vend.

Dhe për këtë janë duke manipuluar çdo shkrim të mediave ndërkombëtare, duke përmendur që në titull togfjalëshin “hetimi për skandalin McGonigal-Rama”, ndërkohë që nuk ka asnjë hetim për Ramën, pasi ndaj tij nuk rëndon asnjë akuzë për ndonjë vepër kriminale. I vetmi që po hetohet është McGonigal, por për punët e tij, jo se është mik me Edi Ramën.