Pasi u shty disa herë si pasojë edhe e pandemisë, Censi i popullsisë dhe banesave do të nisë më 18 shtator. Në procesin e grumbullimit të të dhënave në terren i cili pritet të zgjasë 6 javë do të angazhohen 8 mijë persona të trajnuar, ndërsa kosto përllogaritet në 16 milionë euro.

“Ndryshe nga Censi i raundit të kaluar, Censi i vitit 2023 do të kryhet derë më derë, në mënyrë tradicionale, por në vend të pyetësorëve letër, grumbullim i informacionit do të bëhet me tabletë. Rezultat e para pritet të publikohen në qershor të vitit 2024, ato në nivel vendi. Ndërkohë rezultat në nivel qarku apo bashkie pritet të publikohen në tetorin e vitit 2024”, tha Elsa Dhuli, drejtoreshë e INSTAT.

Detyrimin për t’iu përgjigjur pyetësorit të INSTAT e kanë të gjithë qytetarët, përveç atyre mbi identitetin etnik, fenë dhe gjuhën. Në rast se qytetari refuzon të japë informacion për pjesën tjetër të pyetjeve, gjoba vijon nga 50 deri 100 mijë lekë. Po pse ka rëndësi zhvillimi i Censit?

“Jo vetëm për faktin që Censi i popullsisë dhe banesave është një e mirë publike që i shërben qytetarëve në radhë të parë, por edhe hartuesve të politikave që të hartojnë politika bazuar në evidenca. Kjo jo vetëm në nivelin qendror, por edhe vendor. Kjo në mënyrë që të kemi një planifikim sa më të saktë të asaj çka do të ndërtohet në vazhdim, ku do të ndërtohet dhe si do të ndërtohet”, u shpreh Dhuli.

Censi i popullsisë he banesave ishte planifikuar të zhvillohet në vitin 2020, por u shty prej pandemisë. Në 2021 u shty sërish për shkak të zgjedhje parlamentare, e vitin e kaluar prej krizës. Për shkak edhe të sulmeve kibernetike të vitit të shkuar, INSTAT ka shtuar masat e sigurisë në drejtim të ruajtjes së të dhënave.