Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e Elbasanit. Gjatë bashkëbisedimit, Gjiknuri i ftoi ata të bëhen pjesë aktive e familjes socialiste për të ndikuar drejtpërdrejt në vendimmarrjet për miradministrimin e qytetit të tyre.
“Zgjedhjet dhe aktivizimi në zgjedhje janë një nga ato procese që gjithmonë duhet të jeni të interesuar dhe që gjithmonë ja vlen të përfshihesh. Mos i shikoni zgjedhjet si diçka jashtë interesit tuaj. Edhe më shumë të rinj duhet të kemi dhe ne në parti. Prandaj ju ftoj të bëheni pjesë aktive. Një pjesë e juaja të marrë angazhime. Pse jo nesër ndonjëri nga ju të jetë dhe në këshill bashkiak. Ngadalë, ngadalë kështu zhvillohet dhe interesi për politikën dhe mirëadministrimin e vendit.
Në fund të fundit këto i bëni për veten tuaj. Prandaj them që këto mundësi që kemi tani, me kryetarin e bashkisë, me mbështetjen që po jep qeveria ne këtë tren të nisur s’duhet ta ndalim, duhet ta çojmë përpara. Por ju duhet dhe ju të rinjve se ju na gjallëroni dhe ne. Jo thjesht ne të përfitojmë nga energjia juaj për të ndryshuar veten por duke ju pasur ju aty ju i hapni vend vetes. Kjo forcë politike, kjo organizatë, bashkia, Partia Socialiste, duke pasur sa më shumë nga ju, ju do jeni një presion pozitiv për ndryshim për mirë”, deklaroi Gjiknuri.
Ai nënvizoi se me Gledian Llatjen në krye të punëve të bashkisë dhe mbështetjen e qeverisë përmes projekteve të mëdha, sikurse janë Automotoparku, Bypass-i dhe Korridori 8-të, Elbasani e ka mundësinë të kthehet një nga qendrat më të rëndësishme të Shqipërisë.
“Në fakt, automotoparku edhe Bypass-i që do krijohet që do ti japë një zhvillim të madh zonës. Elbasani ka dy gjëra shumë të rëndësishme: është afër kryeqytetit, është afër aeroportit dhe bërja e një vepre të tillë këtu mund ti japë një identitet turistik edhe ndërkombëtar, duke e kthyer Elbasanin në një pikë që do të vizitohet më shumë. Kjo krijon shanse më shumë edhe për të rinjtë, për punë, për një karrierë në fushën e turizmit”, deklaroi Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve theksoi se Elbasani nuk ka kohë për eksperimente. Ai shtoi se PS e ka nisur “trenin” e zhvillimit të qytetit përmes punëve transformuese.
“Ne kemi zgjedhjet vendore, janë zgjedhje për administrimin e shtëpisë suaj, vetes suaj. Asnjë të mos mendojë se duke bërë zgjedhjen e gabuar vendore do të ketë një perspektivë edhe më të gjerë kombëtare. Pse e them këtë? Nuk ka kohë për eksperimente, ne e kemi nisur “trenin” e Elbasanit, zhvillimin e Elbasanit. Ne e kemi djalin tonë i cili e drejton këtë bashki. Ka një qeveri që po e mbështet dhe financon dhe ku të rinjtë jam i bindur që do ta gjejnë më shumë veten. Gledi ato angazhime që i merr jam i bindur që do ti mbajë por nuk është vetëm. Më ka mua, ka deputeten, ka kryeministrin Rama sepse pa mbështetjen e qeverisë shumë nga këto projekte që ne kemi janë të pamundura”, tha ai.
Teksa i konsideroi të rinjtë si pjesa më vitale dhe tepër e rëndësishme për Partinë Socialiste, Gjiknuri tha se e majta e ka treguar mbështetjen ndaj tyre përmes përfaqësimit të të rinjve në këshillat bashkiak.
“Votoni në këtë rast për forcën që ka treguar se di ti kthejë dinjitetin shqiptarit. Në fund të fundit Edi Rama i ka kthyer dinjitetin këtij vendi. Jo më kot kryeministrat e të gjithë botës vijnë e bëjnë aktivitet në Tiranë dhe respekti për shqiptarin në këtë drejtim është rritur. Ajo ka një emër ka identitetin e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.
Unë jam i bindur që edhe në Elbasan shumë e shumë të rinj jo vetëm nuk do largohen por edhe do të kthehen për të parë atë Elbasan që duhet. Prandaj kërkoj aktivizimin tuaj maksimal”, nënvizoi Gjiknuri.