Ilir Meta paraqitet në SPAK. Burime ekskluzive për gazetaren e Report Tv Keti Banushi bëjnë me dije se Ilir Meta po jep llogari në SPAK për aferën CEZ-DIA, ështje e cila u rihap në prill të vitit të kaluar. Në një prononcim të shkurtër për mediat Meta tha se ka sjellë dhjetëra denoncime në SPAK kundër korrupsionit.
“Po kam sjellë me dhjetëra denoncime këtu, me firmë, me vulë në SPAK, prandaj kam ardhur me shumë kënaqësi. I kam thirrur disa herë SPAK të veprojë kundër korrupsionit,” deklaroi Meta.
Për dosjen e CEZ-DIA është dënuar Kastriot Ismailaj. Vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta i kërkon Kastriot Ismailajt (e dënuar me 11 vite burg), 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka deklaruar Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para. Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qen mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё CEZ, sigurisht në bashkëpunim me CEZ, pasi CEZ nuk humbiste asgjë, por xhepat e shqiptarëve.
Kastriot Ismailaj është dënuar në vitin 2017 me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e 5 milionë eurove. Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, ku u përfshi në një skemë mashtrimi, duke shkatërruar edhe raportet mes shtetit shqiptar dhe CEZ, me kosto të madhe për buxhetin e shtetit.
Ai u arrestua në 12 maj të vitit 2015 nga Sektori i Pastrimit të Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar ne Policinë e Shtetit për veprën e mashtrimit në shuma të mëdha dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Në 6 muaj, 9 kompani private përfituan nga CEZ-i 12 milionë USD nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara. Pjesën më të madhe të fondeve e ka marrë “Debt International Management”, me administrator Kastriot Ismailaj, 649 milionë lekë, ose gati 6.5 milionë dollarë. Nga “Debt International Advisori” paratë kanë dalë nga Shqipëria duke hyrë në llogaritë e dhjetëra kompanive të tjera, që veprojnë në rreth 15 shtete. Sipas burimeve nga prokuroria, bëhet fjalë për shuma financiare që ka dyshime të forta se i përkasin njerëzve të politikës dhe personave VIP në Shqipëri, pasi kjo kompani fantazmë nuk ka kryer as vjeljen e borxheve të “CEZ Shpërndarje”, për të justifikuar transfertat, aq më tepër që shuma e transferta është shumë më e madhe se 5 milionë euro.
Kastriot Ismailaj, nën “maskën” e marrëveshjes me kompaninë çeke, “CEZ Shpërndarja”, për mbledhjen e borxheve kreu mbi 100 transaksione bankare, para këto që kanë qenë të personave të rrethit shoqëror të tij.
Çështja e CEZ-DIA, 414 milionë euro dëm shtetit
Në prill të vitit 2022, SPAK ka rihapur dosjen e CEZ-DIA të vjedhjes së parave publike. Arben Kraja dhe Altin Dumani po ndjekin këtë hetim, ndërsa kanë pyetur një ndër kryesorët e kësaj afere, Kastriot Ismailajn, i dënuar me 11 vite burg. Rihpaja e hetimit erdhi pas një kallëziimi në SPAK nga Partia Socialiste.
Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ndërsa në vitin 2013, kur socialistët morën pushtetin, u bë ndërprerja e kontratës abuzive. Prishja e kësaj marrëveshje që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.
Në fund të vitit 2015, Ministria e Energjisë dhe Industrisë që drejtohej nga Damian Gjiknuri, kallëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme ish ministrat (Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë, Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë etj) dhe ish drejtorët e Berishës për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe shkelje, duke favorizuar CEZ me çmimin e energjisë elektrike, faljen e detyrimeve dhe njohjen e borxhit të keq.
Por Prokuroria e Përgjithshme e drejtuar në atë kohë nga Adriatik Llalla, i emërruar nga Berisha dhe Meta, sot i shpallur non grata nga SHBA dhe i dënuar në mungesë me 2 vite burg për fshehje të pasurisë, e mbylli dosjen me arsyetimin se procedura e privatizimit të OSSH nga qeveria Berisha ishte në përputhje me ligjin.
Pavarësisht ankimimit nga socialistët, Gjykata e lartë konfirmoi mbylljen e dosjes nga një trupë gjykuese që sot vetëm njëri prej tyre nuk u dogj në vetting.
Më tej, Kuvendi i Shqipërisë dhe juristi i CEZ Romeo Kara referuan edhe dy dosje të tjera në Prokurori, me prova të reja, ndërsa si të kallëzuar u shtuan Sali Berisha, Shkëlzen Berisha dhe sekseri kryesor Nuel Kalaj. Të dyja dosjet u mbyllën!
Në 2016-ën socialistët ngritën një komision hetimor përmes të cilit i kërkuan prokirorisë të hetojë Berishën dhe djalin e tij si persona përgjegjës për privatizimin abuziv të OSSH, por gjithçka kaloi në heshtje nga drejtësia e kohës.