Kombëtarja e Zvicrës është e njohur për lojtarët që vijnë nga etni të ndryshme dhe që bashkojnë forcat për të ngritur sa më lart fanellën e helvetëve. Një pjesë e mirë e organikës zviceriane ka qenë dhe është e përbërë edhe nga futbollistë me origjinë shqiptare ku më ta famshmit janë padyshim Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Blerim Dzemaili, Valon Behrami apo edhe Admir Mehmedi.

Megjithatë, historia e lojtarëve shqiptare që kanë luajtur me kombëtaren e Zvicrës nis edhe më herët teksa i pari që ka qenë pjesë e helvetëve është Milaim Rama. Me kombëtaren e Zvicrës, Rama koleksionoi shtatë paraqitje.

Ish-futbollisti, lindi në Kosovë por karrierën e tij e zhvilloi në Zvicër ku u aktivizua me klube si Thun e Schaffhausen ndërsa pati edhe një eksperiencë në Gjermani me Augsburgun. Së fundmi, në një rrëfim të gjatë për median zviceriane Blick.ch, 46-vjeçari theksoi se edhe ai do të festonte me simbolin e shqiponjës ashtu siç kanë bërë më parë Xhaka e Shaqiri ndërsa tregoi edhe të gjithë rrugëtimin e tij drejt elitës së futbollit zvicerian.

“Kur vjen puna te gjunjët unë ndihem shumë i plakur, edhe pse aktualisht jam 46-vjeç. Por, duke qenë se kam lindur më datë 29 shkurt, kam mundur ta festoj datëlindjen vetëm 11-herë”.

Kush ishin ëndrrat e Ramës si fëmijë?

“Në fëmijëri time mendoja se gjithë jetën time do ta kaloja në vendlindje. Nuk e mendoja se një ditë do të bëhesha një qytetar zvicerian dhe një futbolllist profesionist. Jam rritur në një vend të quajtur Viti dhe që kishte rreth 100 shtëpi. I gjithë fisi im jetonte aty dhe kur kthehesha nga shkolla luaja futboll, ose ndihmoja mamanë time në lidhje me kullotat”.

A kishte aty një fushë futbolli?

“Po ishte një e vogël në kodrin sipër qytezës. Por, ishte shumë e vogël, nuk kishte e balancuar dhe ishte me baltë. Ndonjëherë mungonin edhe portat”.

Në moshën trevjeçare, babai yt, Shaqir nisi të punonte në Zvicër, sa të mungonte prania e tij?

“Kështu bënin të gjithë në atë kohë, kishte shumë pak mundësi punësimi në vendlindje. Dhe, kjo është arsyeja pse shumë kryefamiljarë shkuan në Gjermani apo Zvicër. Unë dhe tre binjakët ishim shumë të mërzitur me largimin e babait dhe mamaja jonë, Zejnepe mbulonte edhe rolin e tij. Jam shumë krenar me mënyrën se si ajo e ka përballuar atë kohë”.

A kishe një idhull në futboll kur ishe i ri?

“Po, Marco Van Basten i Milanit dhe Fadil Vokrri i Prishtinës. Në atë kohë, Prishtina luante në një kampionat të fortë në Jugosllavi dhe për ne fëmijët ishte një kënaqësi ta admironim Vokrrin kur shkonim në stadium”.

Më pas në Ballkan u prish qetësia dhe nisën trazirat, si e përjetove?

“Nuk dua të flas shumë për atë periudhë sepse ndodhën gjëra të tmerrshme. Ne kosovarët nuk lejoheshim të shkonim në shkolla dhe kështu nisëm të mësonim në shtëpi, duke u fshehur. Kishte kontrolle të shumta. Edhe pse nuk kuptonim shumë në atë kohë, e dinim se çfarë po ndodhte dhe se lufta do të vinte”.

Në moshën 17-vjeçare, familja vendos të transferohet në Zvicër te babai, sa e vështirë ishte për ty?

“Mbi të gjitha isha shumë i lumtur që mund të bashkohesha me babain dhe kështu e gjithë familja ishte sërish e bashkuar. Por, në të njëjtën kohë ishte edhe e vështirë për t’u larguar nga qyteza, aty lashë familje dhe shokë”.

A e mban mend ditën tënde të parë në Zvicër?

“Ishte maj i vitit 1993. Zbritëm nga avioni dhe gjithçka ishte shumë e bukur dhe e pastër. Më pas morëm trenin për në Interlaken aty ku jetonte babai. Ai punonte në ndërtim. Vendi më pëlqeu dhe jashtë dritareve mund të shihje një panoramë shumë të bukur, por kishte edhe shumë fusha futbolli”.

Por, nëse kthehemi pas, çfarë do të kishte ndodhur nëse do të qëndronit në Kosovë?

“Në qytezën tonë nuk kishte shumë mizori, por lufta bëri që shumë njerëz të pafajshëm të përfundonin në burg. Nuk ishte aspak e këndshme ajo që përjetuan njerëzit tanë në atë periudhë. Edhe unë e përjetova sepse nuk mund të flisja me gjyshërit nga telefoni për muaj të tërë dhe nuk e dija nëse ishin të gjallë. Diçka e tillë të thyhen si person”.

Në atë kohë njerëzit nga Ballkani nuk ishin edhe aq të mirëpritir në Zvicër, cilësoheshin si hajdutë, kriminelë dhe jugosllavë…

“Së pari unë dua të them se i jam mirënjohës Zvicrës për mirëpritjen, por sigurisht ka pasur edhe fyerje të cilan të rëndonin. Fatmirësisht, këto paragjykime u zbehën me kalimin e viteve. Mua personalisht më ndihmoi edhe futbolli për ta kaluar këtë pjesë”.

Si e nise futbollin në Zvicër?

“Ishte viti 1994, zbulova fushën e Lanzenen në Interlaken. Një vend i bukur dhe i gjelbëruar dhe mendova se ishte vendi ku unë doja të vrapoja. Më pas shkova me xhaxhain te klubi dhe pyeta nëse mund të luaja”.

“Jo, trajneri i skuadrës së parë që luante në divizionin e dytë më tha se nuk kishte vende të lira. Më pas të njëjtën gjë më tha edhe një tjetër trajner i divizionit të dytë. Por, një skuadër e vendit të tretë në Ligën e Pestë më besoi, ndaj e nisa prej aty. Kisha probleme në fillim sepse unë nuk isha mësuar me taktika. Plus që në Kosovë luaja në fusha të vogla dhe zakonisht ishim gjashtë kundër gjashtë”.

Por, tre vite më pas ishe pjesë e Thun, si ndodhi?

“Kishte njerëz që besonin tek unë, pastaj edhe unë isha tepër ambicioz. Doja me patjetër të arrija diçka në karrierë, pas një viti e gjysmë në ligën e pestë, kalova në të dytën dhe më pas në ekipin e parë. Pastaj Thun më ftoi në një provë dhe u bashkova me ta në vitin 1997. Skuadra në atë kohë sapo ishte promovuar në ligën nacionale B”.

Ende nuk ishe një futbollist profesionist, çfarë punoje tjetër?

“Në atë kohë, merresha me shumë gjëra. Njëherë kam punuar edhe si korrier picash, njëherë si punëtor në restorant e më vonë si nëpunës magazine. Më pas u fokusova te futbolli, vazhdova me Thun ndërsa erdhi edhe oferta nga Augsburg. Nuk mund ta refuzoja për ambiciet e mia dhe të klubit gjerman. Gjithsesi, dëmtimet më penalizuan dhe pas një viti u riktheva në Zvicër, te Schaffhausen. Nuk vonoi shumë dhe u riktheva te Thun”.

Në vitin 2012 përfundoi edhe karriera me Thun…

“Pata një diskutim me trajnerin Bernard Challandes dhe ai më çoi në tribunë për disa kohë. Asgjë nuk funksionoi dhe e mbylla”.

Ishe lojtari i parë shqiptar te kombëtarja e Zvicrës…

“Është një nga gjërat më të bukura në karrierën time, vesha fanellën e Zvicrës në shtatë ndeshje. Shumë e ëndërrojnë, por unë ja arrita”.

Ishe i pari shqiptar në në europian, ishte viti 2004…

“E gjithë Kosova ishte krenare për mua, ishte si një përrallë. Luajta disa minuta në Europian dhe kjo tashmë është në librat e historisë. E pabesueshme”.

Në vitin 2018, patriotët e tu Shaqiri dhe Xhaka shkaktuan debat me festën e tyre me shqiponjë…

“Jo, ishte thjesht një gjëst asgjë më shumë. Edhe unë do të festoja me shqiponjë, nuk ka asnjë problem”.