Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca ka prezantuar disa lloje të verërave shqiptare në Japoni në një takim me Shoqatën Kombëtare të Somelierëve. Teksa ka ndarë disa foto nga degustimi i verërave shqiptare, Krifca shkruan se bota po vlerëson cilësinë dhe varietetin e verës autoktone shqiptare.

Krifca thotë se me rregullimin e kuadrit ligjor për vreshtarinë do i japë vlerë produktit shqiptar që do regjistrohet si autokton.

“Sikurse konstatoi dhe revista prestigjoze e verës, Decanter, Shqipëria është diamant i pazbuluar i varieteteve autoktone. Me investimet në standardet e vreshtave dhe teknologjive të reja, rregullimin e kuadrit ligjor dhe të gjithë zhvillimet cilësore që kanë ndodhur në sektorin e verës shqiptare, sot jemi gati për ta prezantuar verën shqiptare gjerësisht në botë dhe këtë po bëjmë me fokus.

Organizuam me Shoqatën Kombëtare të Somelierëve të Japonisë, përfaqësues të prodhuesve tanë të verës, një degustim profesional mes dhjetëra somelierëve profesionalë të etiketave të ndryshme të verës shqiptare. Më erdhi mjaft mirë që bota po vlerëson cilësinë dhe karakteristikat e territorit të verërave shqiptare, duke i hapur njëkohësisht rrugën eksportit të verës në tregun e madh japonez. Ndaj dhe aktivitete si ky do zhvillojmë dhe në tregje të tjera të rëndësishme e me potencial.