Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se vizita në Japoni merr një rëndësi shumë të madhe në të gjitha aspektet si në planin gjeopolitik, ekonomik dhe të turizmit.
Në një intervistë televizive nga Japonia, Kumbaro tha se “në vitin 2019 që ishte më i miri sa i përket numrit të turistëve ka pasur 6500 vizitorë nga Japonia në Shqipëri. Vitet e pandemisë bënë që ky numër të bie, por aktualisht kemi një trend për një rritje të mirë, mbi 1500 turistë japonezë në 2022″.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “kjo vizitë do të japë një impuls sepse takimet më të gjithë sektorin e turizmit privat, por edhe publik kanë qenë shumë intensive. Edhe ne takimin që ata me 30 drejtues të agjencive turistike japoneze interesi ishte shumë i madh. Japonezët duan atraksione të reja, Shqipëria është një pjesë e itenerarit të tyre. Kur japonezët vijnë në Shqipëri e vizitojnë edhe vendet e Ballkanit”.
Sipas saj, qëllimi kryesor ishte futja e Shqipërisë në këtë itenerar.
“Me 30 turoperatorët ramë dakord që të zhvillojnë një turne në Shqipëri që të njihen me vendin tonë dhe të kenë sa më shumë informacion për klientët e tyre”, shtoi ajo.
Ministrja Kumbaro tha se “prezantimin e Shqipërisë këto ditë e bëmë me imazhe e video që pati një efekt pozitiv jam e bindur që ky bashkëpunim që kemi nisur do të jetë shumë i frytshëm”.
“Shqipëria është një vend i vogël, i cili të jep mundësinë që në pak kohë të vizitosh si malet e larta ashtu edhe plazhet, muzetë e veriut në Shkodër, parqet natyrore në Valbonë dhe parqet arkeologjike. Ky diversifikim është një tjetër mundësi që i bën ata të jenë të interesuar për vendin tonë”, theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro bëri të ditur se Shqipëria do të bashkëpunojë gjithashtu me Agjencinë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JAICA), për projekte në zonat e mbrojtura si dhe në fushën e turizmit.