Kur presidenti rus, Vladimir Putin, ka dërguar mbi 200.000 trupa në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit 2022, ai ka thënë se qëllimi është “ta çmilitarizojë dhe denazifikojë” Ukrainën, dhe jo ta pushtojë me forcë.
“Kam vendosur të kryej një operacion të posaçëm ushtarak. Duhet t’i mbrojmë njerëzit që janë keqtrajtuar dhe i janë nënshtruar gjenocidit të Kievit prej tetë vjetësh”, ka thënë Putin.
Për propagandën e tillë nuk ka pasur asnjë provë. Por, duke qenë se ushtria ruse është në mesin e pesë fuqive më të mëdha në botë, shumë vëzhgues kanë pritur se Kievi do të bjerë shpejt, se qeveria e tij e zgjedhur në mënyrë demokratike do të rrëzohet dhe se një regjim i kontrolluar nga Moska do të marrë pushtetin.
Një vit më vonë, kjo nuk ka ndodhur. Ndonëse në fillim ka pushtuar territore të mëdha, ushtria ruse nuk ka arritur ta rrethojë kryeqytetin. Me kalimin e kohës është detyruar të tërhiqet nga disa zona, fillimisht në veri dhe pastaj në jug, dhe deri më sot ka humbur më shumë se gjysmën e territorit të marrë në javët e para të pushtimit.
Bilanci deri tani në njerëz është i llahtarshëm. Sipas disa raporteve të Kombeve të Bashkuara, janë mbi 20.000 viktima civile, mbi 16 milionë njerëz të zhvendosur, mbi 40 për qind e shtëpive të shkatërruara dhe mbi 50 për qind e infrastrukturës energjetike të Ukrainës e shkatërruar ose e dëmtuar.
Megjithatë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ndihmuar me armatim dhe logjistikë nga Perëndimi, ka shprehur shpesh optimizëm për trajektoren e luftës. Në një fjalim përpara Kongresit të Shteteve të Bashkuara, më 22 dhjetor, ai ka lënë të kuptohet se lufta do të përfundojë këtë vit. Viti 2023 do të jetë një “pikë kthese” – pika ku guximi ukrainas dhe vendosmëria amerikane do të garantojnë të ardhmen e lirisë sonë të përbashkët, ka thënë Zelensky.
“Përkundër të gjitha dyshimeve dhe skenarëve të errët dhe shkatërrues, Ukraina nuk ka rënë. Ukraina është gjallë dhe po godet”, ka thënë ai.
Po, cilat janë perspektivat që lufta të përfundojë këtë vit? George Barros, nga Instituti për Studime të Luftës, me seli në Uashington, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se rusët, ka muaj, që janë mposhtur në nivel strategjik.
“Ukrainasit, absolutisht, mund ta fitojnë këtë luftë në mënyrë konvencionale. Është thjesht çështje kohe. Kam parë prognoza optimiste që flasin për përfundimin e luftës verën e ardhshme. Ushtria konvencionale ruse është mposhtur aq shumë”, thotë Barros.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se lufta nuk do të përfundojë me kapitullimin e ushtrisë së tij. Disa herë, ai ka bërë kërcënime të maskuara bërthamore, si kundër Ukrainës, ashtu edhe kundër Perëndimit. Në fund të tetorit të vitit të kaluar, ai ka vëzhguar disa stërvitje ushtarake, të cilat kanë përfshirë nëndetëse bërthamore dhe raketa balistike.
“Ka rreziqe dhe sfida të reja për sigurinë tonë kolektive”, ka thënë Putin atë kohë, por nuk ka specifikuar më shumë. Këtë muaj, ai është tërhequr nga një traktat bërthamor me SHBA-në, i njohur si START-i i Ri, i cili është nënshkruar në vitin 2010 me qëllim të parandalimit të luftës bërthamore.
Barros thotë se Instituti për Studime të Luftës vlerëson se gjasat që Rusia të përdorë armë bërthamore “janë të vogla”, sepse ushtarakisht, thotë ai, “nuk ka kuptim”. Ai kujton doktrinën ushtarake ruse, e cila, mes tjerash, thotë se armët bërthamore mund të përdoren “në rast të agresionit kundër Rusisë”. Rusinë nuk po e kërcënon askush, thotë Barros.
John Spencer, oficer i pensionuar i ushtrisë amerikane, beson se Putin as që po e konsideron përdorimin e armëve bërthamore në luftën në Ukrainë, përkundër retorikës që bën.
“Nëse Rusia përdor qoftë edhe një armë shumë të vogël bërthamore në Ukrainë, një gjë e tillë do t’i jepte fund shtetit rus të tillë çfarë është dhe do t’i jepte fund regjimit të Putinit”, thotë ai.
Spencer, aktualisht në Institutin e Luftërave Moderne, me seli në Nju Jork, thotë për Exposenë se të gjitha luftërat përfundojnë me “një lloj procesi negociues” dhe kështu do të përfundojë edhe lufta në Ukrainë. Se çfarë drejtimi mund të marrë kjo zgjidhje, Spencer nuk mund ta thotë me siguri. “Mund të ketë diskutime për një zonë të çmilitarizuar mes dy vendeve”, thotë ai.
“Por, Ukraina duhet të mposhtë edhe shumë kapacitete të ushtrisë ruse. Kjo, pastaj, do të çojë në negociata, mendoj unë. Ndoshta kjo do të ndodhë verën e ardhshme. Por, duhet bërë ende shumë luftë”, thotë Spencer.
Sipas inteligjencës perëndimore, Rusia është duke u përgatitur për ofensivën pranverore në Ukrainë. Sipas imazheve satelitore, ajo ka ngritur kampe fushore të ushtrisë pranë kufirit verilindor të Ukrainës, pikërisht aty ku i ka pozicionuar trupat e veta një vit më parë, para pushtimit.
Duke folur për BBC-në javën e kaluar, Zelensky ka thënë se forcat e Ukrainës do të vazhdojnë ta zmbrapsin përparimin rus dhe ka përsëritur thirrjet për më shumë ndihmë ushtarake nga Perëndimi.
“Armët moderne e përshpejtojnë paqen. Armët janë e vetmja gjuhë që Rusia kupton”, ka thënë Zelensky për BBC-në.
Lufta ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima te të dyja ushtritë. As Moska, as Kievi nuk kanë ofruar shifra të përditësuara, por shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, ka thënë në fund të vitit të kaluar se 100.000 ushtarë rusë dhe 100.000 ushtarë ukrainas mund të jenë vrarë ose plagosur.
Milley ka thënë se si Rusia, ashtu edhe Ukraina duhet të pranojnë se fitorja në luftë “nuk është ndoshta e arritshme me mjete ushtarake” dhe, për këtë arsye, iu duhet “t’u kthehen mjeteve të tjera”.
“Dëbimi ushtarak i rusëve nga Ukraina është një detyrë shumë e vështirë dhe nuk do të ndodhë në javët e ardhshme – përveç nëse ushtria ruse shkatërrohet plotësisht, por kjo nuk ka gjasa. Politikisht, me një zgjidhje politike, tërheqja e rusëve do të ishte e mundur”, ka thënë Milley.
Tani për tani, prej asnjërës palë nuk ka sinjale serioze se janë të gatshme për bisedime. Por, Eric Lob, profesor i Politikave dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës, beson se pikërisht bisedimet janë rrugëdalja. Jashtë tryezës së bisedimeve, as Rusia dhe as Ukraina nuk mund ta mposhtin njëra-tjetrën, thotë Lob për Exposenë.
“Konflikti mund të vazhdojë me vite dhe mund të ketë edhe kosto të mëdha ekonomike”, thotë ai.
E pyetur për parashikimet e saj se kur mund të përfundojë lufta në Ukrainë, Melinda Haring, zëvendësdrejtore e Qendrës së Euroazisë në Këshillin Atlantik, përgjigjet për Exposenë:
“Lufta përfundon kur Rusia të bindet se nuk mund të marrë atë që do. Vladimir Putin do katër gjëra. Ai do ta shkatërrojë Ukrainën. Ai do ta shkatërrojë NATO-n, por nuk ia ka dalë. Ai do ta rishkruajë arkitekturën evropiane të sigurisë, rregullat e vendosura pas Luftës së Dytë Botërore, por nuk ia ka dalë. Dhe ai do ta poshtërojë Perëndimin, por nuk ia ka dalë. Nga këto katër gjëra, ai ka pasur sukses vetëm më shkatërrimin e pjesshëm të Ukrainës”.
“Andaj, unë mendoj se do të duhet shumë kohë për ta bindur atë që të tërhiqet. Ai e ka ndërtuar trashëgiminë e tij 22-vjeçare mbi shkatërrimin e Ukrainës. Ai nuk mund të thotë: kjo është mjaft, jemi tallur dhe po ikim në shtëpi. Në këtë pikë, nuk mendoj se ka ndonjë mënyrë që ia shpëton fytyrën. Lufta do të përfundojë ose me fitoren e Ukrainës, ose me fitoren e Rusisë – e cila ka shumë pak gjasa – ose në pozicion pati”, thotë Haring.
Putin, me vite, e ka mohuar shtetësinë e Ukrainës. Në një ese të gjatë, të botuar në ueb-faqen e Kremlinit në korrik të vitit 2021, Putin ka shkruar se “rusët dhe ukrainasit kanë qenë një popull” – duke iu referuar kështu epokës së shekullit 9. Dhjetorin e kaluar, ai ka thënë se lufta mund të jetë një proces i gjatë, por më pas ka shtuar se qëllim i Rusisë “nuk është ta rrotullojë timonin e konfliktit ushtarak”, por ta ndalojë atë.
Ai vazhdimisht i ka bërë thirrje Perëndimit që të mos e armatosë Ukrainën, por kot. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili ka shënuar njëvjetorin e nisjes së pushtimit rus me një vizitë të befasishme në Kiev, ka thënë se Perëndimi do ta mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa ka nevojë”. Lufta pushtuese e Putinit po dështon, Ukraina po qëndron në këmbë, ka thënë presidenti amerikan. /REL/