Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka dalë në një konferencë për mediat pas mbledhjes së sotme të qeverisë ku ka bërë të ditur se një nga vendimet kryesore të ndërmarra ishte ai për nivelin e pagave të disa sektorëve publikë:

“Një nga diskutimet më të gjata ishte mbi nivelin e pagave dhe profesionistëve që do të bëhen pjesë e administratës publike. Siç e dini në korrik, Shqipëria ka qenë subjekt i një sulmi të rëndë kibernetik dhe po punojmë për një ekip të kualifikuar IT me qëllim që qeveria të jetë një punëdhënës konkurrent me treg dhe të ketë paga më të larta se sektori privat. Tashmë sistemet janë baza e mirëqeverisjes dhe sisteme të forta do të thotë siguri për të gjithë. Kemi punuar gjatë janarit për finalizimin e strukturave për profesionistët e IT në të gjithë sektorin shtetëror. Të gjitha këto vendime do të miratohen brenda muajit shkurt dhe synojmë që sektori publik të jetë punëdhënësi më i preferuar”, tha ministrja Ibrahimaj.