Messi, në ajër sa i përket së ardhmes. Negociatat me PSG-në për rinovimin e kontratës janë ende të bllokuara dhe argjentinasi po mendon të largohet nga skuadra pariziene në fund të sezonit. Nëse ai largohet, Inter Miami i Beckhamit është një nga pretendentët më të fortë për të marrë “yllin” argjentinas.

Klubi i Beckhamit ka punuar për afrimin e argjentinasit që kur u themelua, pasi një emër kaq i madh do të ishte një reklamë e paimagjinueshme për MLS-së. Opsioni për t’iu bashkuar Inter Miamit forcohet me qëndrimin e fundit të Messit për të mos rinovuar (të paktën për momentin). 35-vjeçari po mendon për fazën e fundit të karrierës së tij, pasi me suksesin që arriti në Botëror nuk ka më ambicie të veçanta për të luajtur në nivelin më të lartë në Evropë.

Argjentinasi nuk e ka fshehur kurrë synimin e tij për të luajtur në Shtetet e Bashkuara. Opsione të tjera që lojtari më i mirë i të gjitha kohërave mund të marrë në konsideratë janë një aventurë në Arabinë Saudite, rikthimi i mundshëm te Newell’s Old Boys, ekipi i tij i fëmijërisë ose, kush e di, ndoshta një rikthim në Barça.