Mjekët e QSUT ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale të rrallë. Mjekët e shërbimit të Hemodinamikës kanë bërë një operacion në zemër te një 27-vjeçar që ka zgjatur rreth 5 orë.
Ajo që e bën të rrallë është se kjo ndërhyrje kirurgjikale është realizuar për herë të parë në Shqipëri, ku 27-vjeçarit i është vendosur aparati CRT-D dhe një sondë subkutane për defibrilim kardiak. Lajmi është ndarë nga kryeministri Edi Rama, i cili ka pasur edhe një falënderim të veçantë për mjekët që kanë marrë pjesë në operacion.
“Mjekët e shërbimit të Hemodinamikës në QSUT bëjnë mrekulli me një 27-vjeçar të cilit i shpëtojnë jetën, me një ndërhyrje të rrallë në zemër që zgjati 5 orë.
Për herë të parë në Shqipëri u bë vendosja e aparatit CRT-D (terapi resinkronizimi dhe defibrilator i implantueshëm kardiak) si dhe vendosja e nje sonde subkutane për defibrilim kardiak. Pajisjet CRT-D janë pajisje shumë të kushtueshme dhe bartin një shkallë të lartë vështirësie për t’u vendosur, por falë investimeve të kryera në QSUT dhe kualifikimit të stafit mjekësor, u bë e mundur ndërhyrja delikate që rezultoi e suksesshme për të riun 27-vjeçar. Super punë e ekipit të mjekëve me Dr.Ormir Shurdha, Dr. Mirald Gina, stafit të infermierëve të Hemodinamikës me kryeinfermiere Ledja Grrica, dhe ndihmën e veçantë për anestezinë të Dr. Saimir Kuçi”, shkruan Rama.