Nga Mero Baze/
Sot Sali Berisha ka kërcënuar se nëse televizionet do ftojnë Edi Ramën, ai do t’iu çojë njerëzit e vet të hyjnë në studio, ta nxjerrin me dhunë. Natyrisht është thjesht një vegim i pafuqisë së tij, mënyra se si ai e ëndërron betejën me kundërshtarin e vet.
Kur të lënë fuqitë dhe e shikon se e ke të pamundur të bësh betejë , kur e ke të pamundur të marrësh vota, e ke të pamundur t’i mbyllësh gojën me argumente pasi shpif, e vetmja dëshirë që i zbulohet nga përmbrenda është përdhunimi.
Dhe nuk e ka këtë vetëm se është në opozitë dhe nuk ka fuqi shtetërore. Kur ka qenë në pushtet, natyrisht ka bërë gjëma të mëdha. E ka burgosur liderin e opozitës, i ka masakruar të tjerë duke i rrahur rrugëve me badigardët e vet, ka djegur redaksi gazetash dhe ka burgosur gazetarë, ka shkatërruar biznese të tyre dhe i ka dhunuar kur e kanë denoncuar. Por dhe atëherë kur nuk i mjaftonin të gjitha këto, i shkonte në mendje t’iu dhunonte dhe banesat.
Ndoshta tani është harruar, por në vitin 2012 ai pati një tërbim të pashpjegueshëm pse familja e Linda Ramës kishte ndërtuar një pallat në pronën e saj, dhe vuri 11 kushërinj të tij nga Tropoja, pushtues tokash në Qytetin Studenti, dhe i shkonin Lindës para pallatit duke i kërkuar llogari vëllezërve të saj, pse kishin ndërtuar një banesë në tokën e tyre.
Për të qenë deri në fund tribal, në protestë merrnin pjesë djemtë e xhaxhallarëve, mbesat dhe kushërinjtë e tij. Pra thjesht fisi i tij zaptues nga Tropoja në Tiranë.
Më pas, me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes, fluturoi mbi shtëpinë që ndërtonte Edi Rama në Surrel, për të terrorizuar njerëzit aty dhe për t’iu krijuar ndjenjën e pasigurisë.
Disa javë më parë, rreth 20 protestues të tij shkuan afër shtëpisë së Edi Ramës në Surrel për të protestuar. Thirrja u përsërit sërish në mitingun e fundit të dështuar para Kuvendit në Tiranë.
Ideja se ky ka të drejtë të të vijë e të të dhunojë në shtëpi, është një instinkt shtazor, që buron nga honet e errëta të primitivizmit të tij, që duket se po e sundon tani gjithë personalitetin e tij.
Duke u ndjerë që është i dobët, i pafuqishëm, i pavotuar, i papërfillur dhe mbi të gjitha, i përçmuar në opinionin publik, ai duket se po fiksohet dita ditës me idenë që armiku duhet dhunuar në shtëpinë e tij. Dhe shkuarja e tij pranë selisë së Partisë Socialiste një javë më parë, udhëhiqej nga ky instikt shtazor.
Sot ky instikt ju shpërfaq kur pa që dje Edi Rama në studion e Fevziut çmontoi gjithë gënjeshtrat e tij për çështjen McGonigal dhe ja shfryu gjithë tullumbacet e gënjeshtrave të tij. Dhe i tërbuar, sot dha kushtrimin se nëse dikush tjetër e fton Edi Ramën, ai do t’i hyjë në studio me banditë.
Natyrisht ky është një gjest i mirëpritur më shumë nga kundërshtarët e tij se sa nga ushtarët e tij. Është ajo pika që derdh gotën dhe që mund ta fundosë dhe fizikisht nga kjo botë.
Por është interesante të kuptosh pse ky njeri mendon se tani e vetmja shpresë e tij për të mundur Edi Ramën është të shkojë ta dhunojë tek shtëpia, tek zyra apo në studio televizioni, ku çmonton broçkullat e tij.
I vetmi shpjegim është pafuqia e tij.
Si çdo njeri i gjallë i dështuar dhe pa shpresë, kur mediton i dëshpëruar se çfarë mund t’i bëjë kundërshtarit që nuk e mund dot, ai mendon skena apokaliptike, si shkuarja në shtëpi, dhunimi, nxjerrja me dhunë jashtë nga studiot apo selia dhe pastaj marrja e pushtetit të tij.
Beteja politike dhe elektorale i është kthyer në një tmerr të pashpresë, që nuk do ta provojë më. Dhe si ata pleqtë e fikur, që shikojnë ëndrra sikur kanë zënë të dashur të re 20 vjeçare, Sali Berisha në perëndim të jetës së tij politike dhe fizike, e vetmja ëndërr që shikon dhe mastrubohet, është se si ta dhunojë fizikisht kundërshtarin e tij, t’i prishë shtëpinë, zyrën, studion ku flet dhe të shfaqet fitimtar si dhunues.
Është i vetmi shpjegim për ëndrrat e tij. Dhe këto ëndrra shpjegojnë gjithçka se kush është Sali Berisha dhe cilat janë instinktet e tij shtazore.
Për 32 vjet, ai ka rekorde pa fund të dhunës fizike ndaj kundërshtarëve dhe rivalëve, dhe brenda partisë, duke u dhunuar fëmijët, si të ndjerit Pashko, duke i dhunuar vet fizikisht, duke i rrahur me badigardë, duke u djegur redaksi e makina gazetash, duke shkatërruar seli dhe tani në fund të jetës tij, duke ëndërruar t’u shkojë dhe në shtëpi si dhunues.
E dëgjoja sot kur kërcënonte televizione të mos e ftojnë më në studio Edi Ramën se do t’u hyjë brenda për t’i dhunuar. Në fakt Edi Rama i ka shkuar në shtëpinë e tij, në studion e djalit të tij, ndërtuar me gjakun e 26 shqiptarëve masakruar në Gërdec dhe qindra historish korrupsioni, dhe ata i janë jargavitur.
Vet Berisha është jargavitësi më i madh i tij, duke ju lutur “qoftë dhe 5 minuta” ta përfillë dhe t’i shkojë në debat përballë. Mospërfillja dhe injorimi i Edi Ramës për të, po kthehet në makth të jetës. Dhe e do patjetër përballë, qoftë dhe duke i shkuar natën kur fle në dhomë të gjumit.
Ky njeri ka tani partinë e tij private, por nuk i del e keqja, dhe do edhe selinë e Edi Ramës.
Ka një qytet të tërë me apartamente të vjedhura tek ish- Klubi Partizani dhe vila në Lalëz, por nuk i dalin, do të dhunojë dhe shtëpinë e Edi Ramës.
Ka varrezat e tij private në këtë vend, me të vrarët nga dora e tij djalit të tij dhe pushtetit të tij, por nuk i dalin, do të ketë në këtë varrezë dhe kundërshtarin e tij.
Kaq mjafton për të kuptuar që e vetmja gjë që e mban akoma gjallë fizikisht në jetë është urrejtja, dhuna, nekrofilia dhe mbi të gjitha drama e mospërfilljes duke e trajtuar si të vdekur të pakallur.