Qendra shëndetësore në Lekbibaj të Tropojës ofron tashmë shërbime me standarde më të mira për banorët e zonës.
Pjesë e programit të Rehabilitimit të Qendrave Shëndetësore dhe Ambulancave, infrastruktura e kësaj qendre është përmirësuar tërësisht falë investimeve të kryera.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto që tregojnë transformimin e kësaj qendre pas rehabilitimit dhe gjendjen në të cilën ndodhej godina.
“Kjo është qendra shëndetësore e transformuar në Lekbibaj, Tropojë, e rilindur bashkë me 340 qendra dhe ambulanca nga veriu në jug. Me +60 qendrat e tjera shëndetësore që rehabilitohen këtë vit, shkojnë në 400 qendrat e kujdesit parësor me infrastrukturë të përmirësuar radikalisht, që i shërbejnë qytetarëve me kushtet dhe standardet më të mira”, informoi Rama.
Programi i Rehabilitimit të Qendrave Shëndetësore dhe Ambulancave ka filluar fazën e dytë të zbatimit, ndërkohë që në fazën e tij të parë janë rehabilituar dhe rindërtuar 300 qendra shëndetësore dhe ambulanca në të gjithë vendin.