Ka ndërruar jetë mesditën e sotme Mimika Luca, aktorja e madhe e skenës shqiptare. Aktorja e njohur ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 85 vjeçare.
Ajo u lind në Gjirokastër më 24 dhjetor të vitit 1937 dhe në moshë shumë të re interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë. Për njëmbëdhjetë vite, nga 1951 deri në 1962, ishte balerinë në TKOB. Më pas, jeta e saj mori një drejtim tjetër, atë të aktrimit.
Mimika Luca u pranua në vitin 1962 si aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role, si Suzana, Luçia, Dila “Cuca e maleve”, Sonja, Nica “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja “Kur hidheshin themelet” etj. Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. Roli i parë ka qenë krah bashkëshortit Ndrek Luca, në filmin “Detyrë e posaçme”, më pas në filmin “Kryengritje në pallat”, “Kur hidheshin themelet” e shumë të tjerë.
Një personazh i rrallë si Mimika Luca nuk harrohet dot nga publiku shqiptar, ashtu si roli i nënës së Marigosë te “Përrallë nga e kaluara”. Rolet e nënave, të edukatoreve apo edhe të mësuesve duket se ishin të prera për karakterin e saj. Më 1984, ajo interpreton edukatoren te filmi “Taulanti kërkon një motër”.
Regjisorja Xhanfizo Keko e dinte që ajo ishte aktorja e vetme që mund ta mishëronte aq lehtë atë figurë. Ajo shkroi edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, më e njohura “Drita”.
Në vitin 1977 fillon punë si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega Dramë, por nuk ju nda filmit. Në një rrëfim të gjatë për revistën Neësbomb.al, Mimika Luca është shprehur
“Nëna ime nuk donte që të bëhesha as balerinë as aktore. Donte një profesion tjetër për mua. Ama më çonte vet në Pallatin e Kulturës, që mos ta harxhoja kohën kot, edhe pse ajo nuk donte të bëhesha artiste”.
Fatkeqësisht, sot ajo ka mbyllur sytë përgjithmonë për të shkuar pranë bashkëshortit të saj, aktorit të shquar Ndrek Luca.
Mungesën e tij e ka ndjerë me vite, por familja i ka qëndruar gjithmonë pranë. Djali i saj Gjergji, ka zgjedhur që të birit t’i vendosë emrin e Ndrekës, duke e lartësuar të atin në breza. Bashkë me të bijën Rozafa, dy fëmijët i dhanë një dimension tjetër përfytyrimit për jetën. Mimika Luca jetoi me Gjergjin në periferi të Elbasanit, në oazin e ngritur nga i biri ku figura e aktorëve, e të gjithë aktorëve, lartësohet siç në fakt duhet të jetë.
Dhimbja që la te familjarët, kolegët dhe ata që e njohën është e madhe, ama aktorja e mirënjohur e skenës shqiptare iku pa asnjë peng nga kjo botë.
Në prag të 85 vjetorit, dy muaj më parë ajo i dha gazetares Suada Daci një intervistë të rrallë, të fundit, për Revistën “Neësbomb.al”. Ajo u shpreh:
“S’kam asnjë peng. Madje gjëja më e bukur është që Gjergji i vuri emrin djalit të vogël, Ndrek Luca. I ngjet shumë…”.