Sindikata e Punonjësve të Universiteteve kanë paralajmëruar një protestë me datë 22 Shkurt, në orën 12:00, para Korpusit Universitar në Tiranë. Gjatë një deklarate për mediat, kreu i sindikatës së pedagogëve, Sandër Koçavi u shpreh se qeveria nuk ka plotësuar të gjitha kërkesat e tyre.
“Ju informojmë se SPUSH i është drejtuar zyrtarisht dhe publikisht institucioneve përkatëse për trajtimin e kërkesave legjitime të stafeve akademike, ndihmës-akademike dhe administrative, me besimin se këto institucione njohin, vlerësojnë, pra dhe do duhet të mbështesnin organizimet publike dhe vullnetare të stafeve akademike dhe zërin e këtij grupimi intelektual, që më shumë se kushdo tjetër besojnë se një shoqëri demokratike funksionon si e tillë për aq kohë, sa qytetarëve të saj iu mundësohet cilësia e arsimit.
Mungesa apo shkëputja e urave të komunikimit dhe informimit ndërmjet qeverisë dhe profesoratit është shembulli më i keq për të treguar hegjemoninë e makinerisë së pushtetit ndaj grupimeve më genuine të shoqërisë. Deklaratat dhe qëndrimet e qeverisë për të mos mbështetur financiarisht arsimin e lartë në lidhje me rritjen e pagave dhe fondit për kërkimin shkencor dëshmon mungesën e njohjes, por edhe të ndjeshmërisë së pushteteve ndaj asaj që po ndodh në universitete dhe në gjithë shoqërinë tonë.
Ditën e mërkurë datën 22 do të tubojmë. Nuk e di për çfarë ministria përveç takimit me datën 22 shtator, s’ka pasur tjetër. Ka ardhur një përgjigje më 14 tetor që kërkesat po shqyrtohet, sot jemi 6 muaj pas dhe s’ka asnjë plotësim të tyre. Ju e keni parë rajonin edhe në raporte sesa janë pagat, ndërsa këtu kishte qysh prej vitit 2004 dhe kujtuan se do pranonim rritje me 15%, por nuk jemi dakord. Është turp që një qeveri në 10 vite nuk rrit pagat. Kërkesat tona kanë evoluar, por baza e tyre janë kërkesa minimaliste.”, tha ai.