Sot do të mbahet mbledhja e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi, ku do të nënshkruhen 9 marrëveshje mes dy vendeve në fusha të caktuara. Takimi pritet që të mbahet në Podgoricë në ambientet e Akademisë Malazeze të Shkencave dhe Arteve (CANU).
Mbledhja do të nisë në orën 10:30 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri pasdite. Në orën 10:30 pritet të nisë ceremonia e e mirëseardhjes dhe prezantimi i dy delegacioneve para godinës së CANU-së ndërsa në orën 10:45 është planifikuar që të nisë edhe seanca e përbashkët.
Në orën 13:00 do të bëhet nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët dhe Marrëveshjes Bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna. Në mbledhjen e qeverive do të nënshkruhet edhe marrëveshja që do t’i hapë rrugë ndërtimit të pikës së re kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Konkretisht, pritet të nënshkruhen nëntë marrëveshje dhe memorandume në fushat e energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe Marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë-Pulaj në territorin e Shqipërisë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore, kryeministrat Edi Rama dhe Dritan Abazovic do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.