Gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama, një nga studentët e ardhur nga Përrenjasi tregoi për jetën e saj. Blerta Mema rrëfeu historinë e saj drejt emigrimit, si edhe një takim me Ramën në 2019 ku kreu i qeverisë i tha ”puno fort”. Studentja tha se zgjodhi të kthehej pasi atje ”rrëmbehen ëndrrat”.

“Unë jam Blerta Mema, vij nga një fshat në bashkinë e Përrenjasit. Në vitin 2019 isha studente në vitin e parë në gazetari dhe në një takim që ju zhvilluat (i drejtohet Ramës) më thatë “Puno fort se do t’ia dalësh”. Unë atëherë nuk ia dola.

E gjendur mes shumë vështirësive zgjodha rrugën e emigrimit, emigrova në Greqi, në vitin 2020. Por emigrimi të merrte ëndrrat, të merrte pasionin. Kur isha fëmijë e dija se të jesh emigrant është një profesion, e dija se babi shkon në një vend të bukur ku merr para.

Kur unë u bëra emigrante vendosa të kthehem. Qershorin e 2020 u ktheva. Zgjodha një nga programet prioritare të studimit në Vlorë. Sot jam këtu dhe dua t’u jap një mesazh të gjithë atyre të rinjve që e kanë gati një çantë për të ikur, mos u bëni emigrant. Këtë doja t’u thoja, qëndroni këtu”, tha Blerta Mema.