Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi sot se në ditën e parë të operacionit të kërkim-shpëtimit, skuadra shqiptare iu bashkua përpjekjeve ndërkombëtare në ndihmë të zonave të prekura nga tërmeti katastrofik në Turqi. Peleshi theksoi se skuadra arriti të rikuperojë dy trupa dhe vazhdon kërkimet për të gjetur të mbijetuar.
“Nxjerrja e trupave nga rrënojat dhe kërkimi për të mbijetuar është tani objektivi i të gjithë grupeve të shpëtimit”, shprehet Peleshi, ndërsa poston videon e trupave të operacionit të kërkim-shpëtimit.
Toger Behar Katuçi, komandanti i grupit komando që merr pjesë në kërkim-shpëtimin e personave të mbetur nën rrënoja shprehet se sot skuadra ka operuar në disa zona operacionale ku fatkeqësisht ka nxjerrë dy viktima. “Temperaturat janë shumë të ulta, deri në -6 gradë celsius dhe aktualisht ndodhemi në qendrën e koordinimit dhe presim për detyra të tjera”, tha ai.