15 Shkurt, Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bashkë me drejtues dhe ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik, panë nga afër procesin e vaksinimit kundër HPV të vajzave 13-vjeçare në Qendrën Shëndetësore nr.6 në Kombinat.
Duke e vlerësuar me një përthitje të lartë këtë vaksinë, Manastirliu bëri me dije se kanë ardhur dhe janë shpërndarë në sistemin e kujdesit parësor sërish 2 mijë doza vaksinash të tjera ndaj HPV.
“Ne do të vijojmë fushatën kombëtare të vaksinimit kundër HPV dhe që në muajt e parë të aplikimit të vaksinës janë 2400 vajza të cilat janë vaksinuar dhe kemi patur një përthitje maksimale të vaksinave. Ndërkohë që kemi tashmë të mbërritura 2000 vaksina të tjera, të cilat menjëhërë janë shpërndarë në të gjithë territorin. Përfshirja e kësaj vaksine në Kalendarin Kombëtar të Vaksnimit e bën tashmë vaksinën të aksesueshme nga i gjithë targeti përfitues, që janë vajzat 13-vjeçare”, – tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se kjo ishte një arritje në mbrojtje të shëndetit të vajzave, teksa tha se është rritur ndërgjegjësimi për kryerjen e vaksinës ndaj HPV.
“Kjo me të vertetë është një nga ato vendime që të gjithëve ne na ka bërë krenarë dhe të gjithë ne ndihemi shumë mirë që kemi dhënë një mundësi më shumë për vajzat tona, për të qenë të shëndetshme, ndaj faleminderit vajzave që sot janë këtu për ta shpërndarë lajmin edhe tek shoqet tuaja, por shumë faleminderit edhe prindërve që kanë një rol të jashtëzakonshëm në vetëndërgjegjsimin, por gjithashtu edhe ndërgjegjësimin e rrethit të tyre shoqëror”,- nënvizoi Manastirliu.
Vaksina kundër HPV është përfshirë në programin kombëtar të imunizimit për të gjitha vajzat që mbushin moshën 13 vjeç. Vaksina HPV ofrohet në një dozë të vetme, bazuar në vlerësimin e Komitetit Kombëtar të Ekspertëve të Imunizimit dhe në rekomandimet e grupit të ekspertëve të OBSH. Gjithashtu vijon depistimi nepërmjet testit parësor të HPV ku popullata target janë gratë e grup-moshës 40-49 vjeç, më shumë se 40,000 gra janë depistuar dhe u janë ofruar shërbimet përkatëse, kur janë referuar për ndjekje të mëtejshme.