Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste duket se do i qëndrojë larg një koalicioni me ish-kryeministrin Sali Berisha. I pyetur në lidhje me këtë mundësi, Duka tha se PAA do të hyjë në zgjedhjet lokale me siglën e saj.
Duka tha se ka rreth 1 vit e gjysmë që ka nisur fushatën dhe ka bërë një punë kolosale.
“Kemi 1 vit e gjysmë që bredhim në gjithë Shqipërinë. Unë nuk di formulë tjetër përveç punës. Parashikoj që do të dalim mirë sepse kemi punuar shumë dhe jemi lodhur shumë. Kemi gjetur kandidatura shumë të mira në 61 bashki për këshilltarë. Mirë unë quaj të tentojmë të kemi nga 2 këshilltarë për bashki, tentojmë, sesa dalim, nuk e di.
Mundet që në ndonjë bashki mos të marrim anëtarë të Këshillit Bashkiak, por në ndonjë bashki tjetër, siç është Durrësi për shembull, apo Lezha, apo disa bashki nga veriu që kemi kandidatura shumë të mira, edhe nga jugu madje, për shembull Selenica, Vlora, Saranda, Vau i Dejës në veri, Shkodra, Malësia e Madhe, ne do të tentojmë të marrim ndoshta dhe më shumë se dy anëtarë të Këshillit Bashkiak,” – u shpreh Duka.
A do të jeni pjesë e koalicionit me Berishën?
Duka: Unë dua ta nis nga ajo fjala e fundit që tha Berisha, që ky koalicion është tmerri i Edi Ramës. Faktikisht nuk është kështu se Rama e rregulloi këtë punë me ndryshimet që bëri në 2020-ën. Dikur mund të hyje në koalicion por me listat tuaja, ndërsa sot nuk hyn në koalicion me listat tuaja.
Unë e kam bërë të ditur edhe më parë, Partia Agrare Ambientaliste këtë radhë do të hyjë me siglën e vetë, pasi nga 2015-a e këtej ne nuk kemi hyrë asnjëherë me siglën tonë. Duhet të provojmë veten, por duke mbështet kandidatët e opozitës në ato vende që kemi peshë, dhe duke punu për këshilltarët bashkiakë, kontributi është po njëlloj.
Me distancimin e PAA, më herët edhe PDIU-së si dhe me gjasë të LZHK-së, duket se Berishës i mbetet vetëm koalicioni me PBDNJ të Vangjel Dules, pasi Partia e Lirisë nuk mund të bëhet pjesë për shkak se ka listat e veta për këshilltarë bashkiakë.