Përparimi drejt barazisë gjinore “po zhduket para syve tanë”, tha dje Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres.
Duke folur me grupin kyç të OKB-së për të drejtat e grave përpara Ditës Ndërkombëtare të Gruas më 8 Mars, Guterres tha se barazia gjinore është “300 vjet larg” sipas vlerësimeve më të fundit nga UN Women, organizata e OKB-së e dedikuar për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave .
Guterres përmendi shkallët e larta të vdekshmërisë amtare, vajzat që detyrohen të martohen në moshë të hershme dhe vajzat që rrëmbehen dhe sulmohen për ndjekjen e shkollës si dëshmi se shpresa për arritjen e barazisë gjinore “po bëhet gjithnjë e më e largët”.
Në fjalimin e tij, Guterres nuk përmendi Iranin, i cili u përjashtua nga komisioni 45 anëtarësh në dhjetor për shkak të protestave pas vdekjes së Mahsa Amini në paraburgimin e të ashtuquajturës “polici të moralit” të vendit.
“Të drejtat e grave po abuzohen, kërcënohen dhe shkelen në mbarë botën,” tha Guterres, duke përmendur disa vende në veçanti, duke përfshirë Afganistanin, ku tha se “gratë dhe vajzat janë fshirë nga jeta publike”.