Sali Berisha vijon sulmet ndaj kreut të qeverisë Edi Rama duke thënë se premtimet për rritje të rrogës minimale janë vetëm propagandë. Teksa akuzon Ramën si ‘bandit’ e ‘njeri pa princip’, Berisha thotë se PD do të depozitojë së shpejti ligjin për dyfishimin e pagave që do të jetë i detyrueshëm për çdo institucion.
Ndër të tjera thotë se Rama i bën premtimet në kohë zgjedhjesh ndërsa pretendon se asnjë vend i lirë s’bën rritje pagash pikërisht para votimit të qytetarëve.
“Garantoj qytetarët shqiptarë se jo dyfishimi i rrogave por mbidyfishimi, trefishimi i tyre do të jetë objektiv nr.1 i qeverisjes së PD por rritjet e rrogave në asnjë vend të lirë nuk bëhen kurrë para zgjedhjeve, votimit të qytetarëve. Ai që bën një akt të tillë është kriminel elektoral, bandit i vërtetë, mashtrues ordiner, njeri që nuk ka asnjë princip. Pagat e ulëta duhet të dyfishohen dhe ne i garantojmë të gjithë punonjësit se pagat në të gjithë sistemin e piramidës të administratës shtetërore do të dyfishohen por këto akte nuk ndërmerren kurrë në një vend demokratik para zgjedhjeve me qëllim për të ndikuar votën e qytetarëve.
Thirrja e tij për rritjen e rrogave të ulëta është demagogji pasi nuk bëhet me vullnet, është thirrje propagandistike, PD do të depozitojë në parlament ligjin për dyfishimin e rrogave si akt i parë. Ky ligj do të jetë i detyrueshëm për çdo institucion të këtij vendi, për çdo sipërmarrje, të dyfishojë rrogat e ulëta në Shqipëri”, tha Berisha.