Me qëllim që të ulet numri i aksidenteve rrugore në vend, Kuvendi miratoi një ditë më parë ndryshime të rëndësishme në kodin rrugor. Kështu, për 2 vitet e para pas pajisjes me patentë, shoferëve u ndalohen të ngasin mjete me fuqi të lartë motorike.
Kështu mbajtësve të lejeve të drejtimit të kategorisë B, në 2 vitet e para të lëshimit, nuk u lejohet të drejtojnë mjete motorike me fuqi specifike më të madhe se 55 kuaj fuqi për ton, referuar masës bosh të mjetit!
Për makinat hibrike elektrike ose plug-in, kufiri specifik i fuqisë është 65 ton kuaj fuqi për ton, duke përfshirë peshën e baterisë. Gjithashtu një risi tjetër është edhe zgjatja e vlefshmërisë e patentës deri në 15 vite. Pra rinovimi i Lejes së drejtimit të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, do të jetë çdo 15 vjet deri në moshën 70 vjeç.
Instruktorëve të autoshkollave iu zgjatet e drejta për ushtrimin e profesionit të instruktorit të autoshkollës deri në 70 vjeç, nga 65 vjeç që ishte. Ndërsa qytetarëve që iu është anuluar leje drejtimi shqiptare për efekt konvertimi jashtë vendit, mund të rimarrin lejen e drejtimit shqiptare pa testim, drejtpërdrejt edhe nëse leja drejtimit e huaj ka skaduar, pasi e dorëzojnë atë dhe heqin dorë vullnetarisht prej saj.
Disa ditë më parë një 20-vjeçar teksa po lëvizte me shpejtësi të lartë humbi jetën së bashku me 2 vajzat pasagjere në një aksident tragjik në Tirane, por aksidentet që ndodhin thuajse çdo ditë në Shqipëri, i kthyen në emergjencë nevojat e ndryshimit Kodit Rrugor.