Nga Dritan Hila/
Ikja e Artan Lames nga kreu i agjencisë që merrej me pronat e shqiptarëve, ishte e papritur.
E megjithatë Lame, pas ka lënë një trashëgimi modeste krahasuar me botën, por revolucionare krahasuar me si ishim.
Tashmë, falë bashkëpunimit edhe me e-Albania, ti mund të marrësh certifikatën e pronësisë me një klik.
Ca më shumë, ky bashkëpunim ka sjellë te njerëzit hartën kadastrale të vendit. Tashmë nuk është nevoja të rropatesh nëpër sekserë apo sportele, të japësh para mbi dorë apo nën dorë, për të ditur se në cilën kategori futet një ngastër toke, nëse është truall apo arrë, sa e ka koeficientin e ndërtimit dhe atë të infrastrukturës, ku kalojnë rrugët dhe shumë hollësi të tjera.
Mbase e-Albania është përgjigja e vetme për të shmangur nëpunësin e sporteleve, ku si shkak i kulturës orientale, le të çosh edhe vetë Rusoin pas banakut, ditën e tretë do të kërkojë lekë.
Përveç kësaj ky shërbim ka një aspekt tjetër, përfshi atë shëndetësor, siç janë recetat elektronike të hedhura në sistem.
Kjo kërkon që edhe sektorët e tjerë të ecin me të njëjtin hap. Për shembull nuk është e nevojshme që një i sëmurë me diabet të shkojë çdo gjashtë muaj te doktori për të vërtetuar sëmundjen, kur dihet që kjo është e pashërueshme. E si kjo, edhe të tjera.
Gjithsesi, mbase për shkak të vogëlsisë së popullsisë, tashmë Shqipëria është ndër vendet pararojë të shërbimeve dixhitale krahasuar edhe me vendet fqinjë. Probleme që më parë dukeshin gangrenë në shërbimin publik, sot janë të tejkaluara. Problematika qëndron në aftësimin e popullatës në përdorimin e këtij shërbimi, gjithsesi e zgjidhshme kur mendon që sa shumë hoqëm qe të mësonim përdorimin e bankomatëve, në këtë rast kemi ecur goxha mirë. Është gjithmonë frika e sulmeve pirate, por nuk mund të ndalesh zhvillimin për shkak të aksidenteve, sikurse bota nuk do të ishte kjo e sotmja nëse do të stepej në përdorimin e makinave vetëm se tek-tuk çaheshin gomat.
Veçoria shqiptare janë edhe sulmet politike apo gjithfarë mitomanësh. Por askush nuk e shet kalin pse hera-herës të pickon ndonjë mizë kali. /dritare.net/