Marrëveshja e dakorduar në parim në takimin e 27 shkurtit në Bruksel u diskutua këtë të shtunë në Ohër në takimin tre palësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksander Vuçiç dhe përfaqësuesit të Bashkimit Evropian.
Top Channel ka siguruar dokumentin që u vendos në tavolinën e bisedimeve mes Kurtit dhe Vuçiçit, me ndërmjetësimin e BE-së.
Dokumenti nis me një deklaratë se procesi i normalizimit Serbi-Kosovë mbështetet nga 27 vendet anëtare të BE-së, përfshirë edhe ata që nuk e njohin. Më tej, listohen elementët kryesorë të marrëveshjes. Aty thuhet se marrëveshja respekton vijat e kuqe të palëve.
Në vend që të luftojë me Serbinë, Kosova zotohet të punojë për zgjidhjen e nevojave praktike të komunitetit, ndërsa Serbia bën një hap prapa, duke negociuar pavarësinë e Kosovës, shkruhet në dokumentin që e cilëson të nevojshëm bashkëpunimin me ndërkombëtarët, në favor të njerëzve që jetojnë në Kosovë.
“Serbia dhe Kosova zotohen për zgjidhjen paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve
Serbia angazhohet të përmbahet nga çdo veprim që perceptohet si armiqësi diplomatike drejt Kosovës.
Kosova angazhohet për vetë-menaxhim
Komuniteti serb të jetë në përputhje me vlerat e BE-së”.
Me Marrëveshjen Themelore, përveç normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, synohet të bëhen hapa para në procesin e integrimit të Serbisë dhe Kosovës në BE.
BE ofron edhe mbështetje financiare për realizimin e objektivave. Më tej, renditen përfitimet që pritet të ketë Kosova dhe Serbia.
Serbia ka mundësinë të kthehet në partner strategjik për Ballkanin Perëndimor, duke u bërë faktor i rëndësishëm ekonomik dhe politik në rajon. Ajo gjithashtu do ta afrojë Serbinë me komunitetin serb të Kosovës.
Ndërsa për Kosovën, do të shënojë fillimin e shkëputjes nga kriza, një mundësi për t’u fokusuar në zhvillimin social dhe ekonomik.
Duke përmendur agresionin rus dhe marrëveshjet “e rrezikshme” të Kinës, në dokumentin e siguruar nga Top Channel thuhet se Perëndimi “nuk e ka luksin e dështimit në Ballkanin Perëndimor”.
Çfarë mund të ndodhë nëse palët refuzojnë marrëveshjen? Në dokument thuhet se rrezikohet rruga e integrimit në BE dhe hidhen poshtë proceset e realizuara deri më tani, bashkë me përfitimet që kanë sjellë për Kosovën dhe Serbinë./ Top Channel