24 Mars, Tiranë – Një muaj pas fillimit të rimbursimit të fishave të diabetit për të moshuarit, janë mbi 20 mijë të moshuar që kanë përfituar deri tani falas fishat për matjen e glicemisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, takoi stafin mjekësor dhe të moshuarit përfitues të fishave të diabetit, gjatë vizitës në Qendrën Shëndetësore Ndroq në Tiranë.
“Mjekët e familjes janë duke bërë një punë shumë të mirë për të lajmëruar të gjithë ata që kanë recetat për trajtim, qoftë ata oral dhe ata që trajtohen me insulinë, që në momentin që të vijnë dhe të marrin barnat me rimbursim, të kenë mundësi të marrin edhe fishat e diabetit dhe të kenë mundësi të plotësojnë ciklin aq shumë të nevojshëm të trajtimit por nga ana tjetër edhe të kontrollit periodik që duhet për të bërë çdo njeri që vuan nga diabeti dhe për ti patur fishat falas. Deri më tani janë më shumë se 20 mijë të moshuar +65 vjeç, të cilët kanë përfituar fishat e diabetit falas nga ky program “,- u shpreh Ministrja Manastirliu.
Gjatë bashkëbisedimit me të moshuarit, Ministrja Manastirliu u shpreh se me këtë vendim të qeverisë që tashmë po gjen zbatim në të gjithë vendin, u kursehet të moshuarve rreth një pension mujor në vit.
Pacientët me diabet përfitojnë trajtimin e plotë falas, me një financim të barnave me rimbursim në vlerën 2.2 miliard lekë/vit. Rimbursimi i fishave të diabetit nisi për grupmoshën 0-18 vjeç në vitin 2018. Me pas u zgjerua edhe për të rinjtë deri 25 vjeç. Nga 27 Shkurti 2023, fishat për matjen e glicemisë përfitohen në të gjitha farmacitë e rrjetit të hapur me kontrate me FSDKSH, edhe nga të moshuarit +65 vjeç. Janë 50 mijë qytetarë që përfitojnë fishat e diabetit me rimbursim.
Home Lajme Aktualitet Fishat e diabetit me rimbursim për pensionistët, Manastirliu: Në 1 muaj përfituan...