Ndonëse në aktakuzën që drejtësia amerikane ka përgatitur ndaj ish zyrtarit të FBI, McGonigal, ky i fundit akuzohet vetëm për mosdeklarim udhëtimesh dhe falsifikim dokumentash, opozita në Shqipëri është përpjekur të ngrejë një narativë të pabazë për një lidhje korruptive mes McGonigal dhe zyrtarëve shqiptarë.
Së fundmi, opozita dhe mediat pranë saj kanë zgjedhur të ngrejnë një valë histerie në gjuhë të huaj, duke dëmtuar më së pari imazhin e vendit me lidhje që nuk ekzistojnë.
I radhës është një shkrim në median “Boston Herald” nga gazetari Peter Lucas i cili në të njejtën linjë me personazhin “non grata” të SHBA-ve, Sali Berisha, thotë se gjyqi i McGonigal duhet të shtrihet në Shqipëri, në vendin ku McGonigal sipas tij, u pasurua përmes një marrëdhënieje sekrete me Kryeministrin Rama.
Gazetari Peter Lucas shkon edhe më larg, duke sulmuar po me të njejtën gjuhë si Sali Berisha ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila sipas tij është përfshirë në një betejë për të larguar nga partia e tij Sali Berishën. Por më skandaloze akoma është mënyra se si ai merr në mbrojtje Berishën për shpalljen e tij “nongrata”, duke e justifikuar me idenë se “në Ballkan nuk ka shenjtorë”.
Të gjitha këto lajthitje në shkrimin e Lucas, e kanë origjinën në bazën nga ku janë prodhuar të gjitha trillimet e javëve të fundit mbi rastin McGonigal, në selinë e Partisë Demokratike.
Kjo foto tregon drejtorin e komunikimit të Sali Berishës, Alfred Lelën, gjatë një vizite në shtëpinë e gazetarit Peter Lucas në Westford, pranë Bostonit. Vetë Alfred Lela në një shkrim në portalin e tij “Politiko.al” do të rrëfente me detaje emocionet e takimit me gazetarin, duke ndarë edhe foto nga brenda banesës së tij.
Madje Lela tregon edhe porositë që Peter Lucas i ka lënë për Sali Berishën kur të kthehet në Shqipëri:
“Dëgjo, thuaji Saliut, çfarëdo të ketë ndodhur mes nesh ‘harroje!” (është fjala e parë dhe e vetme që ai thotë në shqip gjatë bisedës tonë). E respektoj shumë për forcën dhe energjinë që ka” – kujton Lela.
Në këtë mënyrë, Sali Berisha i ka kthyer sytë nga miku i vjetër Peter Lucas me shpresën se duke nxirë Shqipërinë në gjuhë të huaj do të mund të pastrojë emrin e vet.