Nga Ylli Pata
Ka 72 orë, që mbështetës mediatikë të Sali Berishës i janë vërvitur me të gjithë artilerinë e rëndë Enkelejd Alibeajt, duke e bombarduar pa asnjë mëshirë.
Me një logjikë krejt të paqartë lufte, duke mos ditur përse e ganatojnë, por që synimi merret vesh: për ta dëmtuar sa më shumë në orët e para të luftës, për të lejuar më pas “këmbësorinë e foltores” që të hyjnë në terren luftimi jo me pushkë, por me letra dhe lule për të gjetur një bunker politik bosh për 14 majin.
Natyrisht, duket se përbën një strategji pa asnjë orientim, pasi e tillë është edhe logjika e Sali Berishës, që kur doktori i është future një beteje që i ngjan tëpkë kryeveprës së Servantesit; Don Kishoti, por në këtë rast Ilir Meta refuzon që të bëjë Sanço Pançon. Siç po refuzojnë shumë të tjerë.
Natyrisht janë të gatshëm Kujtim Gjuzi, Selami Jenisheri, Alimadhi e të tjerë të luajnë këtë rol, së bashku me Nard Nokën, por të githë kanë një defek.
Jo thjesht se janë funny si personazhi gallatë i Servantesit, por problem është se të gjithë, madje edhe sot, njeerëzit e Foltores i kanë sulmuar e tallur paq si “opozitë Salirexhep dhe e blerë nga Rama”. E një zyrtarizim aleancë me Gjuzin e Jenisherin është fotoja më e bukur e një marketingu parodi për fushatën e foltores më 14 maj.
Megjithatë, thelbi i lëvizjes politike që po ndodh nuk ka aspak lidhje me gjuhën e mllefit të mbështetësve mediatikë të Berishës, apo edhe lojën e deputetëve në orët e fundit.
Pesha e tyre politike brenda PD-së është thjesht ajër, zero, fare fare zero.
I vetmi lojtar i rëndësishëm që e kupton realisht lëvizjen e konfigurimit të PD-së është Xhelal Mziu, një zyrtar politik në territor që e njeh mirë situatën. Edhe pse nuk ka një strategji të thellë e mee një qitje të largët, Mziu sot ka shkuar në mbledhjen e Enkelejd Alibeajt, ndërkohë që ishte paraqitur disa herë në takimet e grupit të Berishës. Ku, duhet thënë Xhelali nuk është regjistruar zyrtarisht.
Në fakt sot, pikërisht lëvizja e Xhelalit ka shkaktuar një furtunë të vërtetë në vorbullën mediatike të foltores. “Pse na e bëri këtë, ndjeu instiktin”? Thabë disa. “Jo, jo, gëzohen kot mbajtësit e vulës, Xhela, sa ndejti 5 minuta dhe u largua, nuk tradhëton ai”, thanë të tjerë.
E kështu, lakimi i emrit Xhelal u bë sipas pesë rasave edhe nëjës edhe shumës, edhe në trajtë të shquar edhe të pashquar. E gjithë kjo bëhet natyrisht sepse ka një varfëri e mungesë materiali politik, nga ai reali, ku nuk ka nevojë për të folur për emra.
E politikisht, sinjali është shumë i qartë, pavarësisht bombardimit me artileri të rëndë mediatike për ta ndaluar depërtimit të ajrit që vjen nga baza e Partisë Demokratike.
E ky fakt është se Sali Berisha nuk mundet ti ofrohet demokratëve për bashkim, pasi ai i ka përçarë, sidomos më 6 mars, duke dalë në zgjedhje kundër tyre.
Alibeaj dhe Bardhi, në kërkesën për të bashkuar kandidatët janë thjesht lëvizje taktike, që duket thënë se po japin goxha efekt.
Sepse pavarësisht se Berisha dhe të tijtë bërtasin se Alibeaj nuk ka njerëz, janë njerëzit e foltores që po firojnë ditë pas dite. Foltorja ka thjesht një establishment lart në qendër e nuk ka asnjë gjymtyrë tek Partia Demokratike në bazë. Ka zyrat në selinë e SHQUP, por ka humbur degët. Ky është një realitet jo vetëm i qartë, por edhe i prerë. Demokratët e konsiderojnë veten të bashkuar; thjesht nuk duan që të dalin në zgjedhje me Berishën dhe Metën.
Sepse këta të fundit ishin kundërshtar në zgjedhjet e shkuara. E për të ndodhur bashkimi, duhet që Berisha që të kërkojë falje për 6 marsin. Në thelb, hezitimi për të dalë hapur me Metën në një subjekt tregon pikërisht këtë sensacion që Berisha e kupton mirë. Por 6 marsi është një e çarë që nuk zgjidhet as me diversion e as me bombardim.
Ndaj dhe panikohen nga lëvizjet e Xhelalit, i cili natyrisht nuk luan lart por në territory, e politikisht është shumë më i qartë se Sali Berisha, pasuesit e tij në foltore por edhe mbështetësit mediatikë të tij.