Formula 1 zhvilloi Çmimin e Madhe të Bahrein, me Max Verstappen (Red Bull) që fitoi në garën e parë të sezonit. Surprizë në këtë garë ishte piloti i Aston Martin, Fernando Alonso. Spanjolli u rendit në vendin e tretë duke marrë podiumin e parë për këtë sezon.

“Është një rezultat fantastik për skuadrën që të mbyllësh garën e parë në podium. Kishim një makinë super dhe u shpërblye e gjithë puna e bërë. Do të më kishte pëlqyer të isha nisur më përpara, por rikuperuam disa pozicione dhe jam argëtuar në pistë. Skuadra vjen me ambicie dhe kërkon rritje. Ishte një podium i merituar. Nuk e prisnim, pasi s’mendonim se do të ishim kaq të shpejtë. Makina është e lehtë për t’u drejtuar dhe në parakalime të jep gjithnjë kënaqësi”, tha spanjolli.

Fernando Alonso ka fituar kampionatin botëror të pilotëve në vitet 2005 dhe 2006 me Renault dhe gjithashtu ka qenë pilot për McLaren, Ferrari dhe Minardi.