Shqipëria është vendi i Ballkanit Perëndimor që ka përfituar deri tani shumën më të madhe nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, me 212.8 milionë euro të disbursuara.

Sipas WeBalkans.eu, të dhënat e publikuara tregojnë gjithashtu se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar progresin më të madh në zbatimin e reformave. Bosnje-Hercegovina dhe Kosova mbeten pas, ndërsa përparimi i Serbisë është ngadalësuar kryesisht për shkak të faktorëve të brendshëm.

Nga të dhënat e Komisionit Europian rezulton se pas Shqipërisë që ka përfituar 212.8 milionë euro, në totalin e fondeve të disbursuara renditet Serbia me 167.5 milionë euro, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 142.1 milionë euro, Mali i Zi me 91.2 milionë euro dhe Kosova me 61.8 milionë euro. Bosnje-Hercegovina nuk ka marrë ende pagesa nga ky mekanizëm.

Sipas Komisionit Evropian në Bruksel, Plani i Rritjes po zbatohet me ritme të plota, ndërsa që prej nisjes së programit janë disbursuar 673.6 milionë euro.

“Që nga maji i vitit 2024, Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor ka sjellë përfitime konkrete për rajonin dhe qytetarët e tij. Me mbështetjen tonë, partnerët po zbatojnë reforma kyçe që hapin rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Deri tani janë miratuar gjashtë Agjenda të Reformave, pesë partnerë kanë marrë financimin paraprak – të gjithë përveç Bosnje-Hercegovinës – ndërsa katër partnerë kanë raportuar zyrtarisht për zbatimin e reformave, konkretisht të gjithë përveç Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës. Jemi të gatshëm të mbështesim përshpejtimin e reformave që ende nuk janë përfunduar, në mënyrë që të gjithë partnerët të përmbushin angazhimet e tyre brenda afatit shtesë të përcaktuar”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Zëdhënësi theksoi se reformat duhet të mbeten prioritet, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë plotësisht nga mundësitë që ofron Plani i Rritjes.

“U bëjmë thirrje partnerëve tanë të intensifikojnë përpjekjet, në mënyrë që reformat të zbatohen në kohë, përpara periudhave të ardhshme të raportimit. Nëse afati i qershorit 2026 nuk përmbushet, të gjithë partnerët, me përjashtim të Bosnje-Hercegovinës, rrezikojnë të humbasin së bashku më shumë se 333 milionë euro. Për Bosnje-Hercegovinën, afati i zgjatur përfundon në dhjetor”, shtoi zëdhënësi i KE-së.

Ndryshimet më të dukshme në terren në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut lidhen me digjitalizimin e një pjese të shërbimeve publike, thjeshtimin e procedurave të regjistrimit të bizneseve, me më pak dokumentacion, si dhe rritjen e investimeve në infrastrukturë.

Në Shqipëri, fondet po përdoren për modernizimin e infrastrukturës hekurudhore, zgjerimin e internetit broadband, përmirësimin e rrjetit elektrik dhe pajisjen e shkollave me mjete digjitale.

Në Malin e Zi, qytetarët kanë nisur të shohin përmirësime në menaxhimin e regjistrit të pronave, investime në eficiencën energjetike përmes rikonstruksionit të ndërtesave publike dhe modernizimit të ndriçimit rrugor. Po ashtu, janë ulur incidentet ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTIQ+, është rritur mbështetja për shkencën dhe inovacionin dhe është forcuar mbrojtja për përfituesit e asistencës sociale. Në sistemin gjyqësor janë vendosur deklarimet e detyrueshme vjetore të pasurive dhe konflikteve të interesit, ndërsa janë reduktuar mungesat e stafit në gjykatat që trajtojnë çështjet e korrupsionit.

Pas miratimit të Agjendës së Reformave nga Komisioni Evropian, Kosova ka nisur, megjithëse me ritme të ngadalta, miratimin e legjislacionit të ri, zbatimin e reformave institucionale, digjitalizimin e administratës publike dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike.

Maqedonia e Veriut ka forcuar transparencën buxhetore dhe menaxhimin e financave publike, duke bërë më shumë të dhëna të disponueshme për publikun dhe duke ndryshuar rregullat për emërimin e anëtarëve të pavarur në bordet e ndërmarrjeve shtetërore. Po bëhen gjithashtu përpjekje të konsiderueshme për përafrimin e sektorit energjetik të vendit me legjislacionin e BE-së.

Serbia është bërë tashmë pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), çka pritet t’i bëjë pagesat ndërkombëtare mes Serbisë dhe vendeve të BE-së më të shpejta dhe më të lira, pasi sistemi të bëhet plotësisht funksional. Vendi po modernizon gjithashtu rrjetin elektrik dhe po forcon sigurinë energjetike, ka krijuar një Qendër Evropiane të Inovacionit Digjital për të mbështetur transformimin digjital të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe po punon për rritjen e transparencës në administrimin e ndërmarrjeve shtetërore.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian shpjegoi se vendet partnere paraqesin dy herë në vit raportet e progresit dhe kërkesat për pagesa.

“Komisioni vlerëson nëse përfituesit kanë përmbushur në mënyrë të kënaqshme kushtet për pagesën e përcaktuara në Vendimin Zbatues të Komisionit. Përmbushja e këtyre kushteve kërkon që përfituesit të mos kenë shfuqizuar apo pezulluar masat e reformave që janë njohur më parë si të përfunduara në vendimet e mëparshme të Komisionit”, shpjegoi zëdhënësi.

Të gjitha projektet e financuara në kuadër të Planit të Rritjes pritet të përfundojnë deri në fund të vitit 2027 dhe nuk do të jepen shtyrje të afatit të zbatimit. Vendet që nuk përmbushin angazhimet e tyre do të humbasin fondet e alokuara, të cilat do t’u ridrejtohen vendeve të tjera të rajonit.

Plani i Rritjes ka një vlerë totale prej 6 miliardë eurosh, ku 4 miliardë euro janë kredi me kushte lehtësuese dhe 2 miliardë euro grante. Fondet janë ndarë për secilin vend në bazë të popullsisë dhe PBB-së për frymë.

Sipas ndarjes fillestare, Shqipërisë i ishin parashikuar 922.1 milionë euro, Bosnje-Hercegovinës 1.085 miliardë euro, Kosovës 882.6 milionë euro, Malit të Zi 383.5 milionë euro, Maqedonisë së Veriut 750.4 milionë euro dhe Serbisë 1.586 miliardë euro.

Ndërkohë, fondi i Bosnje-Hercegovinës është reduktuar me 10%, në 976.6 milionë euro, pasi ky vend u bë i fundit në rajon që përfundoi Agjendën e Reformave.