Rehabilitimi i plotë i rrugës në unazën e qytetit me të gjithë parametrat e duhur, përfshirë asfaltimin, trotuaret, pajisjen me ndriçim, do u vijë në ndihmë banorëve dhe do shkurtojë kohën për automjetet që do dalin direkt në rrugën nacionale që lidh qytetin e Cërrikut me Elbasanin. Seëkretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Andis Salla, inspektuan punimet për unazën e Cërrikut të cilat po ecin me ritme të shpejta për përfundimin e tyre sa më parë.
Gjiknuri që është dhe drejtues politik i qarkut shprehu mbështetjen e qeverisë dhe të mazhorancës për projektet në këtë zonë. “Andisi e ka justifikuar veten, por do dhe mbështetjen tuaj që të bëjë dhe punë të tjera. Edi Rama këtë e ka marrë për shembull”, nënvizoi Gjiknuri.
Kryebashkiaku Salla theksoi se kjo zonë po merr një vëmendje të rëndësishme nga pushteti vendor dhe ai qëndror duke njohur një sërë investimesh. “Kjo ishte një zonë e harruar e qytetit. Nuk mund ta linim në këtë fazë pasi është një pjesë shumë e rëndësishme. Unaza e qytetit e lidhim me rrugën nacionale që përfshin dhe Elbasanin. Në këtë zonë, përveçse merr vlerë tjetër edhe prona, u japim mundësi qytetarëve që të kenë akses kalimi. Ne këtë kemi për ta përfunduar me të gjithë parametrat e duhur. Tani po bëjmë asfaltimin, kemi dhe trotuaret në mënyrë që të jetë e aksesueshme”, tha ai.
Salla nënvizoi se qyteti është gjetur me zero asfaltime dhe tashmë 90% e qytetit po asfaltohet.
“Ne qytetin e kemi gjetur pothuajse me zero asfaltime. Sot po arrijmë që 90% e qytetit po asfaltohet,po bëhet me trotuare, me ndriçim, me kënde për fëmijët. Ne kemi dhe një projekt goxha të madh, do jetë parku më i madh i qytetit. Do të realizojmë një nga parqet më të mëdha që do të jetë në mes të qytetit të Cërrikut”, deklaroi kreu i Bashkisë Cërrik.