Pas takimit me kryediplomatët e rajonit tonë, shefi i diplomacisë hugareze Peter Szijjarto vlerësoi se Bashkimi Evropian është në një gjendje gjithnjë e më të keqe edhe për shkak të dështimit të procesit të zgjerimit. Szijjarto tha se nuk ka asnjë pengesë reale ligjore për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, por thjesht bëhet fjalë për mungesën e vullnetit politik.

“BE duhet të përshpejtojë procesin e anëtarësimit te shteteve ballkanike sepse kjo nuk ka të bëjë fare me aspekte ligjore. Është thjesht një shprehje e vullnetit politik nëse duam ta presim dikë më herët ose më shpejt ne familjen tone evropiane.

Sa më shumë të jemi, aq më të fortë jemi, sa më pak të jemi, aq më të dobët jemi. Pavarësisht kësaj, mbështetësit e zgjerimit të shpejtë nuk janë shumicë brenda BE-së”, tha Szijjarto.

Sipas tij, ata që janë kundër zgjerimit të shpejtë të BE-së po sillen në mënyrë hipokrite, sepse në prani të shteteve ballkanike të gjithë shprehen pro, por në të njëjtën kohë pas dyerve të mbyllura i vënë lloj-lloj pengesash procesit, gjë që është krejtësisht e papranueshme.

Szijjarto shpjegoi se për Hungarinë, përshpejtimi i zgjerimit është drejtpërsëdrejti një çështje e sigurisë kombëtare sepse ky shtet po përballet me një kërcënim të madh nga imigracioni i paligjshëm.

Ai vlerësoi se BE-ja nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë ballë “presionit të emigrantëve” nëse nuk i përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor në të.