Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se rreth 200 mijë punonjës do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë. Sipas saj, qeveria krahas vendimit për rritjen e pagës minimale ka gati dhe planin për të ndihmuar bizneset që preken nga ky vendim. Ministrja theksoi se që nga viti i kaluar, të ndikuar edhe nga rritja e çmimeve dhe inflacioni, u ndërmor rritja e pagës minimale, dy herë nga 2 mijë lekë.

“Janë të gjitha kategoritë e bizneseve që preken, pasi punonjës me pagë minimale ka në të gjitha kategoritë e bizneseve. Janë rreth 200 mijë persona që do të preken dhe do të përfitojnë nga kjo rritje. Kemi marrë një vendim për rritjen e pagave dhe për të hartuar politika që pagat të vijnë në rritje”, tha ajo në një intervistë për ABC News.

Ibrahimaj theksoi se synimi është që në vitin 2025, paga minimale në vend të shkojë në 45 mijë lekë.

“Brenda vitit 2025, paga minimale do të shkojnë në 45 mijë lekë, duke kuptuar situatën e punëtorëve dhe bizneseve. Në kemi menduar tu vijmë në ndihmë atyre, të ndajmë koston e këtij vendimi me bizneset që preken nga rritja e pagës. Kemi bërë një analizë të bizneseve me më shumë punëtorë me paga minimale që janë industria përpunuese dhe biznese të sektorit të bujqësisë, peshkimit dhe pyjeve”, u shpreh Ibrahimaj.

Sipas saj, qeveria ka vendosur të subvencionojmë diferencën e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për t’i lehtësuar këto biznese.