Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, ka komentuar premtimet e kandidatit të çiftit Meta-Berisha, Belind Këlliçi, duke u fokusuar tek ajo për transport publik falas.
Në një intervistë për ABC, Bejko thotë se Këlliçi është në hall dhe po bën premtime jorealiste, të cilat nuk i beson as ai vetë.
“Ndonjëherë është mirë që krizës apo mungesës së besimit të qytetarëve, të mos i hidhet një lloj shurupi i tillë përsipër, për t’i ëmbëlsuar ata, dhe për t’u bërë i pëlqyeshëm. Jo çdo premtim populist është i realizueshëm sepse nesër do të ballafaqohet me qytetarët. Kemi dëgjuar premtime të tilla të bujshme në Shqipëri. Kush është në hall bën premtime që edhe vetë nuk i beson dot. Nëse i beson nuk është në këtë realitet, jeton në një botë tjetër”, tha kandidati i PD-së.
Vetëm një ditë më parë, Partia Demokratike zyrtarizoi Roland Bejkon si kandidat për Bashkinë e Tiranës për 14 majin.