Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj tha se, falë digjitalizimit, sot po marrim frytet e para të një sistemi shëndetësor më cilësor dhe të drejtë. Në fjalën e saj, në Kongresin e parë të Shëndetësisë, Karçanaj tha se, “qytetarët nuk mbajnë më radhë në spitale apo qendra shëndetësore si më parë. Në e-Albania shumë shërbime kryhen pa copa letrash dhe radhë të panevojshme”.

Karçanaj tha se, “5.8 milionë vizita u regjistruan vitin e kaluar në sistemin e-Vizita, duke eleminuar regjistrimin me dorë të pacientëve në regjistra fizikë të qendrave shëndetësore dhe poliklinikave, si dhe duke ruajtur elektronikisht historikun mjekësor të pacientit”.

“1.8 milionë referime për ekzaminime të avancuara mjekësore u regjistruan vjet në sistemin e-Referimi, nga mjeku i familjes për te mjekët specialistë. Gjatë caktimit të vizitës së specializuar apo ekzaminimit, sistemi merr në konsideratë vendndodhjen e pacientit, disponueshmërinë e pajisjeve mjekësore si dhe të stafit përkatës. 167,000 raporte mjekësore janë gjeneruar duke automatizuar procesin e dhënies dhe nënshkrimit të raportit mjekësor. Si pacienti, ashtu edhe punëdhënësi njoftohen menjëherë në e-Albania, duke evituar kështu nevojën e dorëzimit të raportit në letër”, nënvizoi Karçanaj.

Sipas saj, janë kryer në total mbi 4 milionë aplikime për shërbime shëndetësore në e-Albania, 80 vite kohë të kursyera.

“e-Albania u ka kursyer qytetarëve dhe bizneseve rreth 1000 vite pritje nëpër radhë për marrjen e dokumenteve shtetërore me vulë elektronike dhe rreth 9.2 milionë në xhepat e tyre, nga heqja e tarifave të këtyre dokumenteve që ofrohen tashmë pa pagesë në versionin e tyre elektronik. Gjatë vitit 2022 janë marrë nëpërmjet portalit e-Albania 8,7 milionë shërbime publike si dhe janë gjeneruar 6.6 milionë dokumente me vulë elektronike”, tha Karçanaj.