Neymar do t’i mungojë Paris Saint-Germainit në dy ndeshjet e ardhshme, përfshirë edhe ndeshjen e kthimit ndaj Bayern Munichit në Ligën e Kampionëve. Kjo është konfirmuar këtë të premte nga Christophe Galtier, i cili u paraqit në një konferencë për media, transmeton Gazeta Express.
Sulmuesi brazilian pësoi një dëmtim të ligamentit të kyçit të këmbës gjatë fitores dramatike 4:3 të parisienëve ndaj Lille, më 19 shkurt. Ai u largua nga fusha me barelë dhe i përlotur gjatë ndeshjes në “Parc des Princes”.
Neymar po shpresonte të ishte i gatshëm së paku për ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales, kundër Bayern Munichit, më 8 mars. Por, Galtier ka njoftuar sot se 31-vjeçari do të mungojë në dy ndeshjet e ardhshme.
“Për dy ndeshjet tona të ardhshme, Neymar nuk do të jetë i disponueshëm për ne. Nuk mund të them se mungesa e tij është e parëndësishme, është keq për ne”, tha trajneri francez. Të shtunën mbrëma, PSG-ja luan kundër Nantes në kuadër të Ligue 1.