Boris Ratnikov, një ish-oficer i KGB-së dhe kryekëshilltar në pension i shërbimit rus të sigurisë, FSB, dha një intervistë të jashtëzakonshme në vitin 2016. Ratnikov, që vdiq në vitin 2020, pohoi se shefi i tij kishte depërtuar dhe kishte arritur të lexonte mendjen e Medlin Ollbrajt kur ishte Sekretare e Shtetit të SHBA-së në mesin e viteve 1990.
Ratnikov tha se eprori tij përdori një foto për të depërtuar në nënndërgjegjen e Ollbrajt, duke zbuluar mendimet e saj sekrete rreth synimit të SHBA-së për të marrë Siberinë dhe Lindjen e Largët nga Rusia. Zyrtari i lartë ishte Georgi Rogozin, një oficer i lartë i KGB-së gjatë viteve 1969- 1992, që më pas u bë zëvendësshefi i shërbimit të sigurisë së presidentit Boris Jelcin.
Ai kreu eksperimente sekrete, duke u përpjekur të përdorte telepatinë, hipnozën dhe astrologjinë për të depërtuar te CIA dhe qeveria amerikane. Kur ishte me punë në Kremlin, gjenerali i KGB-së merrej me okultizmin, thërriste shpirtrat e të vdekurve, dhe besonte se mund të depërtonte në nënndërgjegjen e njerëzve duke përdorur fotot e tyre.
Ai shtrihej në një divan dhe binte në një gjendje hipnotike, përmes së cilës ai mund të komunikonte me Ollbrajt dhe në këtë mënyrë lexonte mendjen e saj, depërtonte në shpirtin e saj dhe zbulonte agjendat e saj sekrete. Bazuar në këto metoda, Rogozin i dërgoi një raport zëvendësit të tij Ratnikov me një “zbulim shumë emocionues” mbi politikën e jashtme amerikane.
“Në mendimet e Ollbrajt kemi zbuluar një urrejtje patologjike që ajo ka ndaj sllavëve. Ajo është e indinjuar nga fakti se Rusia ka rezervat më të mëdha minerale. Sipas saj, në të ardhmen rezervat e Rusisë duhet të menaxhohen jo nga një vend, por nga i gjithë njerëzimi nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara. Po ashtu, bazuar në mendimet e Ollbrajt, ushtria amerikane po përdorte një lloj arme kimike dhe biologjike në Jugosllavi, me koka luftarake që përmbajnë elemente radioaktive”- kujtoi më vonë Ratnikov.
Nuk ka nevojë të thuhet se zonja Ollbrajt nuk e ka mbrojtur kurrë – privatisht apo publikisht – aneksimin e Siberisë. Gjithçka ishte një trillim. Gjithsesi, “mendimet e saj sekrete” i përshtateshin agjendës së Putinit se SHBA-ja kishte për qëllim dominimin global dhe destabilizimin e Rusisë me synim qasjen në rezervat e saj të mëdha të naftës dhe gazit.
Në kohë normale, halucinacionet e një zyrtari tashmë të vdekur të Kremlinit dhe KGB-së nuk do të merreshin seriozisht. Por në vitin 2015, Nikollai Patrushev – njeriu i dytë më i plotfuqishëm i Rusisë dhe zyrtari i saj i lartë i sigurisë kombëtare – deklaroi për revistën “Kommersant”: “Juve me siguri ju kujtohet deklarata e ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt, se as Lindja e Largët dhe as Siberia nuk i përkasin Rusisë”.
Natyrisht, Ollbrajt nuk e ka bërë kurrë një deklaratë të tillë. “Komenti” i saj ishte sërish pjesë e fantazisë së ish-zyrtarit të çmendur të KGB-së dhe Kremlinit. Patrushev duhet ta ketë ditur se “deklarata” ishte një gënjeshtër, sepse në atë kohë – në vitin 1997 – ai ishte kreu i Sigurisë së Brendshme të FSB-së, shërbimi i sigurisë ruse.
Prandaj përsëritja prej tij e një gënjeshtre të tillë përbën një shembull tipik të qasjes së tij ndaj politikës së jashtme. Sot Patrushev mbetet këshilltari më me ndikim dhe më i rëndësishëm në Rusi i presidentit Putin, dhe është një mbështetës i palëkundur dhe i pamëshirshëm i luftës në Ukrainë.
Madje ai është edhe më i ashpër se shoku dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë. Si sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Patrushev e akuzoi SHBA-në se po ndjek një agjendë të fshehtë për të shkaktuar “kolapsin e Federatës Ruse”.
Lufta e Ukrainës ka çimentuar ndikimin e tij mbi Putinin, dhe ai mbetet favoriti për ta pasuar atë si president. Për Mark Galeottin, analistin dhe ekspertin e Kremlinit, Patrushev ka qenë prej kohësh “Djalli mbi supin e Putinit, që i pëshpërit gjëra mizore në vesh”.
I lindur më 11 korrik 1951, në Leningrad, Nikollai Patrushev u rrit gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë. Pasi studioi fizikë dhe matematikë në shkollën e mesme nr.211 të Leningradit dhe më pas inxhinieri, u bë pjesë e KGB në vitin 1974. Një vit më pas iu bashkua njësisë së kundërzbulimit në rajonin e Leningradit, kohë kur u takua për herë të parë me Putinin.
Ata përndiqnin disidentët dhe gjurmonin spiunët. Më pas Patrushev u promovua në një post më të lartë, ndërsa Putin u transferua në Drezsden të Gjermanisë Lindore. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Putini u rikthye në Leningrad, i njohur tashmë si Shën Petersburg, ndërsa ish-shoku i tij në KGB u bë kreu i kundërzbulimit të FSB-së.
Në vitin 1998, Patrushev dhe Putin u ribashkuan në Kremlin si nënkryetar i administratës së presidentit Jelcin. Në këtë kohë Patrushev, një vit më i madh në moshë, ishte më lart si post, por Putini ishte më pranë Jelcinit, ndaj u shpërblye me punën e lakmuar si kreu i FSB-së.
Ndërkohë, Patrushev u emërua shef i Sigurisë Ekonomike të FSB-së – një rol vendimtar ku shumë nga ”Siloviki” (të fortët e shërbimeve të sigurisë) mësuan zanatin e tyre. Ai ishte gjithashtu zëvendës i Putinit, dhe nga prilli 1999 ata krijuan një dyshe të frikshme, pavarësisht karakteristikave të ndryshme personale.
Patrushev është siloviki pijanec, i ashpër dhe i hapur; kurse Putini është asket, nuk pi, është strategjik dhe i matur në mendimet dhe komentet e tij. Por që të dy ndajnë një armiqësi të fortë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe një pikëpamje konspirative mbi botën.
Patrushev e konsideron SHBA-në si dekadente, imperialiste dhe në kundërshtim me pikëpamjen e tij konservatore autoritare botërore mbi vlerat tradicionale. Ai po riprodhon Luftën e Ftohtë. Dhe kjo pikëpamje e mbështet qasjen e tij ndaj luftës në Ukrainë.
Ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë, Patrushev i referohet vazhdimisht kujtimeve të fitores së sovjetikëve kundër Gjermanisë fashiste në Luftën e Dytë Botërore, si një mënyrë për të forcuar nacionalizmin rus dhe mbështetjen për pushtimin.
Kur u pyet për kërkesën e Ukrainës për të mbyllur kufirin rus, këshilltari më i afërt i Putinit e krahasoi bllokadën e mundshme të Donbasit me rrethimin e Stalingradit. Ai e quajti qeverinë e Ukrainës një juntë fashiste dhe shpiku teori konspirative mbi “kriminelët neonazistë”, të cilët sipas tij po përdoren nga vende të tjera për organizimin e grushtit të shtetit dhe misioneve sabotuese.
Perspektiva e Patrushev për ta pasuar Putinin në krye të vendit është shumë reale. Kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare është vetëm 71 vjeç, dhe mbetet në krye të elitës brenda Kremlinit. Për Patrushev – një mik dhe njeri i besuar i Putinit për gati 50 vjet – tensioni në rritje me SHBA-në dhe Ukrainën vetëm sa e rrit bazën e tij të pushtetit.
Ai po e shijon këtë konflikt, dhe po e hedh poshtë nocionin e Perëndimit se bota luhatet mes konfliktit dhe paqes. Ashtu si Putin, edhe Patrushev beson se lufta është një vazhdimësi e politikës me mjete të tjera. Dhe pushtimi i Ukrainës, është vetëm një pjesë e luftës së rusëve kundër Perëndimit.
Shënim: Mark Hollingsworth, studiues i njohur britanik. Libri i tij më i ri titullohet “Agjentët e ndikimit: Si KGB-ja i përmbysi demokracitë perëndimore”./ Përkthyer nga CNA.al