Nga Lutfi Dervishi/
Tirana sot u zgjua e përgjumur dhe njerëzit ende nuk e kanë marrë veten nga goditja e befasishme që morën në mesnatë. Këtë goditje nuk e morën as kur iku princ Wiedi, as kur iku Fan Noli, as kur iku Ahmet Zogu, as kur iku Mithat Frashëri madje as kur iku Fatos Nano.
Këtë herë është më ndryshe, na iku Kiara! Mes lotësh ajo u largua jashtë shtëpisë së “Big Brother VIP” dhe rivalja e saj Olta mbeti brenda. Dramë, dhimbje dhe emocione, pengje ndjenjash që të mbërthejnë zemrën… Shqetësimi nuk është pse iku ajo, por sepse i dashuri i saj Luizi kishte bërë thirrje për të mos ja larguar dhe tani ai rrezikon të pushtohet nga brengat.
Kjo gjëmë ka revoltuar mijëra fansa në Shqipëri dhe kudo ku ka shqiptarë, pra në gjithë globin. Fansat kanë shumë të drejtë të jenë të revoltuar. Njeriu që gjeti dashurinë mes mikrofonëve dhe kamerave sot e sheh veten jashtë shtëpisë më të famshme duke lënë të vetëm në habitatin e tij: Luanin e shqiptarëve, Luizin!
Hidhërimi dhe trishtimi, pritet që t’ia lerë vendin zemërimit dhe revoltës. Priten prostesta para shtëpisë me slloganet: ”Pa drejtësi nuk ka paqe!”, “Na ktheni Mbretëreshën e Luanit!”, “SPAK, vepro o sot o kurrë!”, “Zgjohu Altin Dumani!”, “Shqiptar, mos rri por duku!”… Dhoma e avokatisë së Shqipërisë pritet të caktojë një ekip me avokatët më të mirë, që shfaqen dendur në ekrane, për të paditur ata dhe ato që nxorrën jashtë shtëpisë të dashurën e luanit dhe për të hetuar dyshimet për një konspiracion.
Fansat mund të bojkotojnë sezonet e ardhshme të Big Brother, derisa të ketë një ndjesë të thellë, të sinqertë dhe të vihet në vend padrejtësia. Në rrjetet sociale po qarkullon një peticion që kërkon rregulla të reja të lojës që të parandalohet përsëritja e kësaj tragjedie në të ardhmen. Largimi i Kiarës është fyerje për çdo votë që i është dhënë asaj. Mirë në zgjedhje, por vota nuk po respektohet as në Reality Show.
Paralelisht është hapur një llogari për të mbledhur 200 mijë euro, dyfishin e asaj që do të marrë fituesi. Grupi i hackerave iranianë ka premtuar se do të hakerojë faqen e Big Brother VIP dhe do t’i zëvendësojë fotot e Oltës me ato të Kiarës. Njerëzit priten të ngrenë çadra dhe nuk do të largohen nga çadra e drejtësisë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
Në një përpjekje për të qetësuar situatën qeveria ka ndërmend të shpallë tre ditë zie kombëtare, duke nisur nga nesër, e hënë 27 mars 2023. Flamujt do të ulen në gjysmë shtize dhe qeveria do të ofrojë shami falas për të gjithë fansat e përlotur. Qiri dhe lule do të vendosen në çdo shesh qyteti duke nisur nga sot në orën 20:00. Ata që kanë mbetur në Big Brother duhet të mbajnë një shirit të zi për një javë në nderim dhe si kompensim për largimin e padrejtë të Kiarës.
Me vendim të Ministrisë së Arsimit do të ngrihet një statut i Kiarës pranë çdo universiteti në mënyrë që brezat e ardhshëm të frymëzohen nga dituria, mençuria dhe nga strategjitë e përdorura në lojë. Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë seanca terapie me psikologë për gjithë fansat e traumatizuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shtyjë zgjedhjet e 14 majit në mënyrë që t’u japë kohë shqiptarëve të marrin veten nga kjo gjëmë e madhe.
Tragjedia e mbrëmshme mund të krahasohet me mbytjen e Titanikut, rënien e Perandorisë Romake apo zhdukjen e dinozaurëve! Ndërkohë, mos harroni! Luani është ende brenda! Ai tani do të hakmerret për të gjithë shqiptarët për ta çuar të vërtetën në vend dhe për të bërë drejtësi! Kujdes, Big Brother, këtë herë po vëzhgohesh!
P.S. Sipas njoftimeve më të fundit largimi Kiarës ka demoralizuar edhe trupat ukrainase në front!