13 Mars, Roskovec, Fier- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër depistimin e fëmijëve për shëndetin e dhëmbëve me Njësinë e Lëvizshme të Dentistrisë në Shkollën 9 vjeçare ‘Ajet Toska’ në Suk-Roskovec.
“Kjo është një klinikë e kompletuar, pra nuk i mungon asgjë, që nga sterilizimi i paisjeve dhe deri tek të gjithë ato materiale mjekësore të Klinikës Stomatologjike Universitare. Deri më tani, që më fillimin e këtij procesi të të gjithë rrugëtimit të njësive në zonat rurale, kemi më shumë se 630 nxënës të cilët janë depistuar, ndërkohë që në të gjithë vendin janë ofruar më shumë se 45 mijë vizita edhe nëpërmjet kabineteve dentare në shkolla”,- tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se do të vijojnë investimet për ndertimin e uniteve fikse dentare në shkolla.

“Investuam në 19 unite dentare në Tiranë, Shkodër,  Elbasan dhe në Durrës. Jemi në këtë linjë për të vijuar me investimet në shkollë në klinikat stomatologjike, për të krijuar mundësinë që të kemi akses të rritur të shërbimit stomatologjik për fëmijët”,- nënvizoi Manasirliu.

Duke folur për një tjetër program të rëndësishme, atë të shikimit, për shëndetin e fëmijëve në shkolla Manastirliu tha 260 mijë fëmijë përfitojnë nga ky depistim. Që  nga fillimi i Programit Kombëtar për Kujdesin e Shikimit deri më shkurt 2023 janë kryer rreth 120 mijë depistime në total dhe 12% e tyre janë referuar për vizitë tek mjeku specialist.