Kryeministri Edi Rama u nderua me “Urdhrin e Minervës” për kontributin e tij ndaj shtetit italian gjatë pandemisë së Covid-19, nga një prej universiteteve më prestigjoze Gabriele d’Annunzio, në Pescara të Italisë, pas miratimit unanim të senatit akademik të këtij ateneu.
Urdhri Akademik i Minervës është krijuar nga Universiteti “Gabriele d’Annunzio” në vitin 1986 me propozimin e rektorit të asaj kohe, profesor Uberto Crescenti, me qëllim që t’i atribuohej njohja akademike studiuesve dhe personaliteteve nga bota e kulturës, ekonomisë dhe shkencave. Dekorimi i urdhrit përbëhet nga një medalje ari dhe nderimet bëhen nga rektori gjatë një ceremonie akademike.
Këtë vit, gjatë inaugurimit të vitit akademik, rektori Sergio Caputi propozon Kryeministrin e Shqipërisë Z. Edi Rama për kontributin e tij ndaj shtetit italian gjatë pandemisë së Covid-19. Çmimi i është dhënë autoriteteve më të njohura në nivel botëror si Papa Ratzinger, Piero Angela, Sergio Marchione, Bruno Vespa, etj.
Ky titull nderi iu dorëzua Kryeministrit Rama në një ceremoni të organizuar enkas, në mjediset e këtij Universiteti nga rektori Sergio Caputi, i cili shprehu mirënjohjen e thellë për solidaritetin konkret të treguar ndaj Italisë, në atë periudhë tejet të vështirë të pandemisë së Covid 19.
* * *
Rektori i Universitetit Sergio Caputi: I dashur Kryeministër, pas miratimit unanim të senatit akademik të këtij ateneu kam kënaqësinë të të nderoj me “Urdhrin e Minervës”, nderimi jonë më i lartë.
Do të doja këtu të kujtoja se gjatë fazës së përhapjes së virusit, çka shkaktoi në Itali gjendjen e emergjencës e që të gjithë ne e përjetuam, ndërkohë edhe pamjet që sapo ndoqëm, na sjellin ndërmend diçka që po e harrojmë tashmë, qeveria shqiptare vuri në dispozicionin tonë një ekip mjekësh dhe infermierësh, të cilët na dhuruan dhe bashkë ndanë me ne kurajon, pasionin si dhe aftësitë e tyre profesionale në përballimin e emergjencës shëndetësore.
Në ato ditë dramatike për ne u prekëm nga njoftimi në televizion i Kryeministrit Edi Rama. Ato pamje, ato fjalë të thëna në italisht bënë xhiron e botës dëshmi kjo e bujarisë së qeverisë, e mjekëve si dhe e të gjithë popullit shqiptar.
Kryeministrit Edi Rama i shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për solidaritetin konkret të treguar ndaj vendit tonë.
Kryeministri Edi Rama: I dashur Z. Rektor, Të nderuar Profesorë dhe përfaqësues të studentëve,
Të dashur miq,
Po e çel fjalën time me një parantezë, asnjëherë nuk është një ide e mirë të ftosh një ballkanas dhe t’i kufizosh kohën për të folur. Gjithsesi, do të përpiqem të mos jem i mërzitshëm edhe pse jam tejet i emocionuar dhe besoj se zëri im e tregon shumë më shumë se sa fjalët e mia.
E mora ftesën për të marrë pjesë në këtë seancë të vitit akademik pranë Universitetit famëmadh “Gabriele d’Annunzio” të Chieti-t, Pescara, me kënaqësi të madhe, por dua t’u rrëfej, jo pa një farë droje e gati pasiguri. Ndrojtja më kaploi kur mu bë me dije se do të merrja këtë Urdhër akademik të Minervës, Mbretëresha e Mençurisë dhe Mbrojtësja e Dijes. Mençuria është një cilësi, që, siç e dini, jo gjithmonë karakterizon atë që merret me politikë, madje do të thosha ndodh e kundërta. Për të përdorur një eufemizëm këtu, pasi faktikisht nuk e karakterizon asnjëherë.
Ndonëse dikur pjesë e një ateneu universitar, si profesor i arteve të bukura, prej kohësh tashmë e kam braktisur urdhrin kalorsiak të akademikëve dhe, mendoni pak, jam i vetmi anëtar i qeverisë që nuk zotëroj një titull akademik të lartë. Ndaj nuk kam ëndërruar kurrë, as në të shkuarën time si artist, por as në të tashmen time si politikan, “të takoja” personalisht Minervën, e, megjithatë duket sikur ka qenë vetë Minerva që më ka kërkuar e më solli në Chieti për të marrë këtë titull nderi që më është akorduar me një motivacion konkret, në shenjë mirënjohjeje për atë çka Shqipëria ka bërë gjatë periudhës së emergjencës Covid në Itali, me dërgimin e mjekëve dhe të përsonelit ndihmës dhe të infermierëve në vendin tuaj.
Për të thënë të drejtën nuk jam fort i bindur nëse vendimi i qeverisë shqiptare kishte të bënte me dijen apo me mençurinë, do të thoja se, më tepër, ka qenë një gjest instiktiv, njerëzor, i thjeshtë, një instikt moral i ngjashëm me atë që frymëzon betimin modern të Hipokratit, duke vëne mjekët dhe mjekësinë në shërbim te jetës dhe të shëndetit pa u ndalur asnjëherë përballë faktit nëse ishin jetë të këtej apo të përtej kufijve shtetërorë, të këtej apo përtej Adriatikut. Ishte një ndihmë simbolike, padyshim e pamjaftueshme për të ndryshuar fatet e luftës së egër me armikun e padukshëm, por thelbësor si një gjest dashurie dhe solidariteti, për t’i treguar Italisë se ne ishim aty, me mendje e me atë çka mund të ofronim duke e ditur, apo duke besuar se Italia do të kishte bërë të njëjtën gjë siç edhe, në periudha të tjera, e ka bërë.
Historiku i marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë është i hershëm, por edhe i ndërlikuar, me rrënjë të thella, ku historia jo gjithmonë ka qenë bujare me popujt tanë e, megjithatë, pavarësisht ngjarjeve ndonjëherë të dhimbshme, një histori e shënuar nga gjeste të rëndësishme dashurie dhe solidariteti të ndërsjellë.
Një histori ku, duke përmendur të madhin, legjendarin Mogol, një tjetër personazh që është nderuar me Urdhërin e Minervës, në një këngë e Lucio Battisti-t, sigurisht, që të gjithë bashkëkombësit e mi, të brezit tim e jo këta të brezit të Tik-Tok-ut, e njohin:
“La veste dei fantasmi del passato cadendo lascia il quadro immacolato”
Virgjili tregon se si Butrinti, një qytet antik në Jug të Shqipërisë, ishte një nga qytetet e para që strehoi një emigrant e refugjat lufte Enea-n, i cili duke mbajtur me vete një statujë të vogël të Minervës do të themelonte më pas Romën.
Pas më shumë se 2 mijë vitesh ishin qytetet e Jugut të Italisë, Bari, Brindisi, Lecce, Otranto, të cilat mirëpritën një dyndje pothuajse biblike, të emigrantëve shqiptarë të cilët i largoheshin një lufte të re, asaj kundër varfërisë dhe mjerimit. Nuk mbartnin me vete statujën e Minervës dhe as pretendonin të themelonin qytete, por mbartnin me vetë shpresë dhe besim në tolerancën dhe në dhembshurinë që, falë Zotit, falë zemrës së italianëve dhe italianeve, gjetën këtu në Itali.
Ajo çka Shqipëria ka bërë gjatë emergjencës së pandemisë ishte shumë pak krahasuar me atë çka i detyrohej por shumë për atë çka mundte realisht. E ka bërë pa pritur lavde e pa lypur mirënjohje. E ka bërë në një shkallë më të vogël por krejtësisht identike me atë të bijës së saj, e Shenjta Nënë Tereza kishte bërë për njerëzimin në shkallë universale për dekada të tëra. Dërgoi, përmes një grupi të vogël mjekësh dhe infermierësh, “misionari della carita” të një shpirti jo bamirës, por mbështetje vëllazërore. Një moment historik ky që në tregoi më pas, se pikërisht kur nevojitet të japësh më shumë, solidariteti vihet në sprovë.
E bëmë për të treguar gjithashtu se egoizmi mes shteteve dhe pse merret i mirëqenë nuk është një domosdoshmëri, pasi Europa ndërtohet me fakte dhe jo me kompromise dhe formula abstrakte. Me fakte nënkuptoj gjeste altruizmi të përditshme.
“Për vite jetojmë krah një qenie njerëzore pa e parë atë”, shkruante Gabriele d’Annunzio, pajtori i këtij Universiteti. “Një ditë…, – vijon thënia e tij, ja ku ngre sytë dhe e sheh. Në një çast, nuk dihet pse dhe se si, diçka thyhet, një digë mes dy ujrave dhe dy fate trazohen mes tyre e rrjedhin”.
Kjo është ajo çka Shqipëria ka bërë gjatë emergjencës. Nuk i uli sytë, edhe kur të tjerët e bënë këtë. Vende evropiane, më të pasura e me më shumë burime, duke zhvendosur shikimin, duke e harruar Italinë dhe duke e lënë vetëm, në zjarr, në fatin e saj. E kishin bërë dhe herë të tjera, gjatë krizës financiare dhe sidomos gjatë emergjencës së emigrantëve. Teksa Italisë iu desh të përballet me prurje të shumta emigrantësh krahasuar me vendet e tjera evropiane. Kur i ashtuquajturi “solidaritet europian” dhe trumbetimi i vlerave të përbashkëta u pa, për fat të keq, se ishin thjesht slogane pa asnjë rëndësi.
Fatet e Shqipërisë dhe Italisë përherë janë ndërthurur e rendur në kërkim të asaj që do të përkufizohej si fryma autentike e Europës, një frymë kjo jo e përjashtimit por e kërkimit të një modeli drejtësie dhe të mire të përbashkët, përtej kufijve ndërshtetërorë, ndoshta D’Annunzio nuk do të ishte dakord me këtë, por durim.
Shembulli i dhënë nga mjekët dhe infermierët shqiptarë nuk ishte një model mençurie i përllogaritur, sipas Minervës, por thjesht humanizmi. Si ai model humanizmi që Italia e ka dëshmuar kundrejt Shqipërisë, jo vetëm një herë, në momente të tjera të historisë së saj. Shqipëria bëri atë çka do të dëshironte të bënin Shtetet e tjera europiane kur nevoja për ndihmë ka qenë mëse e domosdoshme, por jo gjithmonë ka ndodhur kështu.
Nuk ishte hera e parë që vendi ynë jepte një shembull solidariteti dhe altruizmi. Shqiptarët e kanë bërë dhe më parë, si për shembull, gjatë Luftës së Dytë Botërore teksa ky vend i vogël me popullsi kryesisht myslimane strehoi me mijëra hebrenj të dëbuar gjithandej, duke u bërë kështu i vetmi vend në Europë ku popullsia me origjinë hebreje ishte rritur në vend që të zvogëlohej në fund të Luftës së Dytë Botërore sepse asnjë hebre nuk u la në duart e nazistëve. Asnjë!
E kemi bërë sërish, edhe pas energjencës nga pandemia kur NATO u tërhoq nga Afganistani në 2021. Shqipëria ishte vendi i parë dhe fatkeqësisht një ndër të paktat vende që mirëpriti refugjatë afganë.
Njerëz, burra dhe gra, familje, fëmijë që kanë qëndruar me ne, me të gjitha vendet e NATO-s, që kanë besuar tek ne, që janë ekspozuar në emrin tonë dhe me atë tërheqje, të shumtë ishin ata që donin ti linin pas. Për ne kjo nuk ishte e mundur ta pranonim edhe pse nuk ishim ne ata që mund t’i jepnim zgjidhje. Megjithatë unë jam krenar që ndërsa anëtarë të pasur të NATO-s refuzuan t’i prisnin ata njerëz, të cilët u tradhtuan nga frika se do të mund të cenoheshin ekuilibrat zgjedhorë dhe nga frika se nuk do të mund të fitoheshin dhe pak vota më shumë. Shqipëria nuk u tërhoq. Kemi shpëtuar disa mijëra qenie njerëzore.
Dua ta përmbyll duke thënë që nuk e kemi bërë thjesht për ata, nuk e kemi bërë tërësisht për ju por e kemi bërë për ne. Për t’u mësuar fëmijëve tanë dhe gjeneratave të ardhshme, europianëve, solidaritetin njerëzor, përtej kufijve, përtej besimit, përtej gjuhës, përtej ngjyrës. Për t’i rritur me atë frymën e altruizmit humanist që krijoi Bashkimin Europian ku aspirojmë të jemi pjesë edhe ne dhe që predikohet përherë nga ky u fundit, ndonëse fatkeqësisht jo gjithmonë praktikohet.
Europa është sot e ndarë nga digat e luftës, nga konfliket e integrimit dhe nga krizat e institucioneve të saj. Besoj se pikërisht për këtë ka nevojë, për këtë humanizëm të thjeshtë. T’i ngrejë sytë dhe të shohë një qenie njerëzore që vuan, pa i ulur duke menduar për veten e saj. Italia është djepi i humanizmit dhe i Rilindjes dhe unë jam besimplotë se më në fund, në duart e dy grave, njëra në qeveri, nënë e një vajze dhe tjetra në opozitë, bijë e revolucionit “Ylber”, fryma e humanizmit dhe të kulturës së saj që, përherë ka edukuar dhe frymëzuar Shqipërinë, do ta kthejë në frymën e një Rilindje italiane dhe përmes Italisë e cila përherë i ka mësuar Europës në një Rilindje europiane humane.