Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, mirëpriti sot Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Maria Schmid.
Ai vlerësoi rolin e Organizatës në këto momente kyçe të Europës dhe botës, si dhe nënvizoi vullnetin e Shqipërisë si vend anëtar i organizatës, për të kontribuar në drejtim të ruajtjes së paqes e rendit botëror.
Duke u ndalur tek procesi i zgjedhjeve të ardhshme lokale, Begaj vlerësoi ekspertizën e OSBE/ODIHR dhe theksoi se do të bëjë gjithçka që i lejon Kushtetuta dhe ligji, për zgjedhje që përmbushin standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Presidenti vlerësoi gjithashtu rolin dhe kontributin e OSBE-së në Kosovë dhe rajon. Njëkohësisht përshëndeti dakordësimin publik që u arrit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, duke rikonfirmuar qëndrimin e Shqipërisë se dialogu e marrëveshja janë rruga e vetme për një rajon në paqe dhe stabilitet.
Ata vlerësuan kontributin e OSBE-së në Ukrainë pasi ende po përballet me agresionin e paprovokuar nga një anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe të organizatës, si dhe kontributin real për paqen.
“Çdo krim i kryer në Ukrainë, ndaj popullsisë civile, ndaj fëmijëve dhe ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nuk duhet të mbesë pa ndëshkuar“, nënvizoi presidenti Begaj.