Banorët e Burrelit do të kenë shumë shpejtë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm.
Kryeministri Edi Rama, publikoi sot në rrjetet sociale foto nga tubacionat e reja që janë shtrirë përgjatë gjithë vijës së projektit për ujësjellësin e ri të Burrelit.

“Drejt finalizimit linja e furnizimit me ujë 24 orë në Burrel”, shkroi Rama.

Ujësjellësi i ri është një investim i qeverisë shqiptare. Nëpërmjet depove të reja do të bëhet furnizimi i gjithë qytetit me ujë pa ndërprerje. Përveç zgjidhjes inxhinierike në këtë investim për herë të parë implementohet teknika e shfrytëzimit të kuotave dhe lartësisë me gravitet që të shmanget konsumi i energjisë.

Në projekt janë 43 km linja shpërndarje, 4500 matësa të zgjuar dhe 14 zona shërbimi që të bëhet monitorimi i të gjithë furnizimit dhe operimit të qytetit.

Gjatë viteve të fundit qeveria shqiptare ka kryer investime të shumta për përmirësimi e furnizimit me ujë sipas standardeve më të mira si në zonat urbane, dhe ato rurale.