Në kuadër të nismës “Sporti në shkolla” u zhvillua sot ndeshja finale e basketbollit për vajzat e shkollave 9-vjeçare të qarkut të Tiranës, ku u shpall fituese shkolla “Hillary Clinton” e Kamzës.
Kryeministri Edi Rama ndoqi nga afër këtë ndeshje që u zhvillua në Kamzë, ndërsa u shpreh se kampionatet e programit “Ekipet Sportive” po i japin jetë lëvizjes sportive kombëtare të shumëpritur për nxënësit e prindërit, me rreth 700 ekipe në disiplinën e volejbollit dhe basketbollit.
“Kënaqësi e madhe formësimi i lëvizjes së sportit në shkolla, me një finale pasionante të basketbollit për vajzat e shkollave 9-vjeçare të qarkut të Tiranës, mes shkollës “Hilary Clinton” dhe “Dhora Leka””, tha Rama. Kryeministri tha se ndoqi një pjesë të ndeshjes dhe siç tha, realisht nuk e priste të ishte një ndeshje kaq e fortë, kaq e barabartë.
“Të dyja skuadrat e meritonin fitoren, por nuk fitojnë dot dy, fiton një. Sot Kamza i dha Tiranës një mësim. Ju lumtë, luajtët me shpirt, inat, durim dhe fituat”, tha Rama. Në përfundim, kryeministri i dorëzoi ekipit fitues Kupën e Kampionëve të qarkut të Tiranës.