Në një takim me sipërmarrjen private ku po diskutohen pagat, kreu i qeverisë thotë që po luftojnë për të ruajtur burimet njerëzore. Teksa përmend shprehjen “sapo e mësova gomarin pa ngrënë më ngordhi”, kërkon të tregojë se si po largohen forcat punëtore për shkak të mungesës së motivimit dhe mosrritjes së pagave.

“Vendosëm të bëjmë këtë takim për një proces që dëshirojmë ta kthejmë në një dialog kombëtar me sipërmarrjen por edhe aktorët e tjerë dhe të gjithë shoqërinë sepse jemi në një udhëkryq shumë delikat dhe më në fund vetë sipërmarrja po e shikon gropën që i ka hapur vetes vit pas viti duke bërë atë që bëri ai që tha në fund, sapo e mësova gomarin pa ngrënë më ngordhi. Tani sipërmarrja po shikon që lufta për ruajtjen e burimeve njerëzore i ka hyrë brenda në territorin e vet. Tani po shikon se si po i ikin nga duart pikërisht ato forca pa të cilat sipërmarrja vdes, njerëzit. Tani të gjithë po e shohin se si shtetet më të zhvilluara janë futur me kokë për të zhvatur nga të munden burimet njerëzore të kujt munden. Nëse një punonjës apo një i ri ka mundësinë dhe perspektivën të paktën teorike që duke u larguar ta gjejë punën diku tjetër, sipërmarrja nuk ka ku shkon. Tani dilema e sipërmarrjes është të rrojë apo të vdesin”, tha Rama.