6 Mars- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një lidhje live me edicionin e lajmeve në Top Channel, bëri me dije se nga rritja e pages me + 500 dollarë në muaj e mjekëve specialistë, do të përfitojnë 2 mijë mjekë.
“Sot dhe në vazhdimësi ne kemi adresuar mbështetje financiare duke rritur pagat duke mundësuar vendosjen e incentivave financiare, bonusin për punë larg vendbanimit për mjekët dhe në këtë kuadër kemi arritur rezultate të mira sepse kemi rritur me 63 për qind pagën për mjekët dhe profesionistë e shëndetësisë. Lajmi sot që u dha në kongres është mbështetja për mjeket specialistë që do kenë rritje të posaçme, 50 mijë lejë të reja për këta mjekë dhe janë 2 mijë mjekë që do përfitojnë. Pjesa e personalit tjetër mjekësor do kenë rritjen 7 për qind. Patjetër do adresohet edhe rritja  e mëtejshme ashtu sikurse KM e përmendi”, – tha Manastirliu.

Duke ju referuar autonomisë spitalore, Manastirliu tha se kjo reforme do të eleminojë korrupsionin në strukturat shëndetësore.

“Ne jemi duke punuar fort edhe në kuadër të reformës spitalore që i përket një modeli të ri që është duke i pilotuar në spitalin memorial Fier që është autonomia spitalore që duke adresuar çështjet që lidhen me evidencën e shërbimit, të adresojë edhe këto fenomene që edhe pse janë sporadike nuk mund të dëmtojnë punën e gjithë sistemit. Autonomia spitalore është një prej modeleve që ka filluar të pilotohet dhe do shpërndahet në gjithë spitalet e vendit dhe do të mbështesë mjeket nëpërmjet pagesave për performancë, të krijojë mundësinë për praktikën dyfishe brenda ambienteve spitalore në mënyrë që të eliminojnë elementet që kanë lidhje me korrupsionin”,-sqaroi Manastirliu.

Më herët Kongresi i Parë i Shëndetësisë ka zhvilluar punimet ne Tiranë ku ka bërë bashkë politikëbërës, ekspertë shëndetësorë, profesionistë të kujdesit shëndetësor, përdoruesit e shërbimeve dhe aktorë të tjerë, me pjesëmarrje të gjerë me mbi 2000 të ftuar.