Në kohën që shqiptarët po krijojnë gjithmonë e më tepër lidhje në vendet e origjinës së kokainës dhe po kryesojnë grupe kriminale për trafikun e saj në Europë agjencia e SHBA Kundër Narkotikëve njofton një linjë të re sinjalizimi për Shqipërinë.

Tashmë DEA nuk mjaftohet vetëm me partneritetin me Policinë shqiptare për të marrë informacione në lidhje me trafikantët me origjinë shqiptare, por ka vënë në dispozicion një numër telefoni për të kontaktuar në Whatsaap dhe një adresë e-maili për këdo që ka informacion në lidhje me rritjen, prodhimin, shpërndarjen e drograve, krimin e organizuar apo pastrimin e parave të lidhura me drogën.

SHBA nxit këdo që ka informacion ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp në numrin e telefonit dhe në adresën e e-mailit që shihni në ekran. Sipas njoftimit të bërë nga ambasada e shteteve të bashkuara në Tiranë çdo informacion do të shqyrtohet menjëherë nga agjentët dhe stafi i DEA-s dhe do të ruhet anonimiteti o denoncuesit dhe të gjitha të dhënat e tij do të mbahen të fshehta.

“Agjencia e SHBA Kundër Narkotikëve njofton një linjë të re sinjalizimi për Shqipërinë. DEA nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: [email protected]. Të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me to, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.“- njofton Ambasada e SHBA në Tiranë.